Vendosni fjalën kyçe....

I kapen 14 ora dore luksoze e buzhuteri ari, pranga 42-vjeçarit në Rinas


Një 42-vjeçar është ndaluar në aeroportin e Rinasit pasi është kapur duke u përpjekur të fusë në Shqipëri 14 ora dore luksoze si dhe bizhuteri të ndryshme ari.

Në pranga ka rënë personi me iniciale K.H. pasi gjatë kontrollit në bagazhe i janë kapur sasia e lartpërmendur e mallrave kontrabandë.

Njoftimi

“Një 42-vjeçar është ndaluar në Rinas, ndërsa tentonte të fuste kontrabandë në vendin tonë 14 ora dore luksoze, si dhe bizhuteri floriri. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje, bazuar në analizën e riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, bagazhet e shtetasit K. H. Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, aksesorë floriri (varëse, byzylykë, unazë dhe vathë) dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”