Vendosni fjalën kyçe....

Turqia ‘hakmerret’ për sulmin terrorist me 6 viktima në Stamboll, godet bjektivat kurde në Siri e Irak


Forcat Ajrore Turke kanë goditur një numër objektivash të lidhura me grupet kurde në Sirinë veriore dhe Irak, tha të dielën ministri i Mbrojtjes i vendit, Hulusi Akar. Bastisjet pasuan sulmin terrorist të javës së kaluar në qendër të Stambollit ku humbën jetën 6 civilë e u plagosën mbi 80 të tjerë.

“Strehat, bunkerët, shpellat, tunelet dhe magazinat e terroristëve u shkatërruan me sukses.” – tha Akar, duke shtuar se ‘të ashtuquajturat seli të organizatës terroriste u goditën dhe u shkatërruan gjithashtu’.

Ministria e Mbrojtjes tha se sulmet goditën rreth 90 objektiva, të cilat sipas saj ishin të lidhura me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe Njësitë e Mbrojtjes Popullore Kurde (YPG).

“Qëllimi ynë është të sigurojmë sigurinë e 85 milionë qytetarëve tanë dhe kufijve tanë dhe t’i përgjigjemi çdo sulmi të pabesë ndaj vendit tone.” – tha Akar.

Zyrtarët turq fajësuan PKK-në për një shpërthim në një rrugë turistike popullore në Stamboll të dielën, ku u vranë gjashtë  persona e u plagoën më shumë se 80. Policia më pas arrestoi shumë të dyshuar, duke përfshirë një grua siriane e cila u akuzua për vendosjen e bombës.

PKK, e cila renditet si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, mohoi çdo përfshirje në sulm.