Vendosni fjalën kyçe....

Pronarët amerikanë nxjerrin në shitje Liverpool-in – Media


Pronarët amerikanë të klubit anglez të futbollit Liverpool, Fenway Sports Group (FSG), po kërkojnë blerës të mundshëm, sipas një raporti nga The Athletic.

‘Goldman Sachs’ e ‘Morgan Stanley’ do mbikëqyrin procesin e shitjes nën drejtimin e drejtuesve të klubit thuhet më tej në raport.

“Ka pasur një sërë ndryshimesh të kohëve të fundit të pronësisë dhe thashetheme për ndryshime në pronësinë e disa klubeve në Premierligë e në mënyrë të pashmangshme ndaj nesh ka pasur interes lidhur me pronësinë e Liverpool FC.” – thuhet në një deklaratë nga FSG për The Athletic.

Epoka e pronësisë së kompanisë me bazë në SHBA përkon me periudhën më të suksesshme në historinë e fundit të klubit nën drejtimin e trajnerit gjerman Jurgen Klopp, i cili i dha fund thatësirës së tyre 30-vjeçare pa një titull në Premier League duke e fituar atë në sezonin 2019-2020.

Ata gjithashtu janë paraqitur në tre finale të Ligës së Kampionëve gjatë kësaj kohe, duke fituar një. Trofe të tjerë të fituar nga klubi janë edhe një Kupë FA dhe një Kupë Carabao.

Grupi FSG udhëhiqet nga John W. Henry, i cili bashkëthemeloi grupin së bashku me Tom Werner.