Vendosni fjalën kyçe....

Yjet e popit korean do të lënë muzikën për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak


Grupi më i madh i djemve në botë, BTS, do të braktisë për pak kohë koncertet për t’iu bashkuar ushtrisë së Koresë së Jugut për të kryer shërbimin e detyruar.

Ky lajm i jep fund debatit prej vitesh nëse yjet e K-pop mund të përjashtohen nga detyrat ushtarake.

Në Korenë e Jugut, të gjithë burrat e aftë për punë të moshës 18-28 vjeç duhet të shërbejnë rreth dy vjet në ushtri.

Shtatë anëtarët e BTS ishin lejuar të shtynin fillimin e shërbimit të tyre ushtarak derisa të mbushnin 30 vjeç. Më i madhi, Jin, aktualisht është 29 vjeç.

Ai do të fillojë përgatitjet muajin e ardhshëm, zbuloi menaxhmenti i grupit të hënën. BBC shkruan se të shtatë anëtarët e grupit, më i riu prej të cilëve është 24-vjeç, planifikojnë gjithashtu të vazhdojnë me shërbimin e tyre.

Koreja e Jugut ruan shërbimin e detyrueshëm ushtarak kryesisht për shkak se vendi është ende teknikisht në luftë me fqinjin e saj, Korenë e Veriut.

Grupi kishte fituar më parë një shtyrje, kur në vitin 2020, parlamenti i Koresë së Jugut miratoi një projekt-ligj që lejonte yjet më të mëdhenj të popit korean të shtynin detyrat e tyre deri në moshën 30-vjeçare.

Njoftimi nga BTS vjen vetëm disa muaj pasi grupi njoftoi se do të bënte një pushim, pasi disa anëtarë do ndiqnin projekte individuale.

Grupi K-pop kanë qenë artistët më të shitur në botë për dy vitet e fundit – të njohur për hitet si Dynamite dhe Butter.

Të shikuar nga shumë koreano-jugorë si thesare kombëtare – disa ligjvënës kishin sugjeruar që grupit mund t’i jepej një përjashtim në mënyrë që ata të mund të vazhdonin të performonin. Përjashtime të tilla u janë dhënë medalistëve olimpikë dhe yjeve të tjerë të sportit me arritje të larta, muzikantëve klasikë dhe kërcimtarëve. Njoftimi nënkupton që grupi ndoshta nuk do të ribashkohet për të paktën disa vjet.