Vendosni fjalën kyçe....

Pranga tre personave në Vlorë e Dimal


Një 34-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi ishte shpallur në kërkim për shitje lëndësh narkotike.

I riu Marjus Balo ka rënë në pranga pasi ishte dënuar me 1 vit rreth 2 muaj burg për veprën penale të lartpërmendur.

Në Dimal janë arrestuar dy vëllezër pasi akuzohen për pengmarrjen e një të mituri.

33-vjeçari F.H. e 30-vjeçari A.H. banues në Drenovicë të Dimalit, akuzohen se morën peng një 15-vjeçar pasi dyshonin se ai u kishte hyrë në banesë për t’I vjedhur.

Njoftimi

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, kapën dhe ndaluan shtetasin Marjus Balo, 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 08.02.2021, e ka dënuar me 1 vit, 3 muaj e 26 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 24 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar cannabis sativa dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”

Njoftimi

“Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër), të cilët me vetëgjyqësi morën me forcë në automjet, një 15-vjeçar për të cilin dyshonin se u kishte vjedhur një shumë parash, në banesë. Procedohet penalisht 15-vjeçari, për veprën penale “Vjedhja”. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Stacionin e Policisë Dimal, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. H., 33 vjeç dhe A. H., 30 vjeç (vëllezër), banues në Drenovicë, Dimal. Arrestimi i tyre u bë pasi, në fshatin Drenovicë, Dimal, kanë marrë me forcë dhe me vetëgjyqësi, në automjetin e tyre, një 15-vjeçar, sepse dyshonin se kishte vjedhur një shumë parash, në banesën e tyre, në datën 10.10.2022. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.”