Vendosni fjalën kyçe....

Mirëqenia e BE-së e bazuar te Kina e Rusia – Borrell


Për një kohë të gjatë, prosperiteti i BE-së ka qenë i varur nga Kina dhe Rusia, ndërsa siguria i është dhënë SHBA-së, ka thënë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

Deklarata vjen mes rritjes së çmimeve të energjisë dhe përpjekjeve për të frenuar furnizimet ruse me naftë dhe gaz si pjesë e sanksioneve për sulmin ushtarak të Moskës në Ukrainë.

“Mirëqenia jonë ka qenë e bazuar në energjinë e lirë që vjen nga Rusia. Gazi rus i lirë dhe me sa duket i përballueshëm, i sigurt dhe i qëndrueshëm. Është vërtetuar se nuk është kështu.” – tha Borrell në një fjalim në një konferencë të ambasadorëve të BE-së.

Diplomati shtoi se blloku 27-anëtarësh gjithashtu mbështetej shumë në tregtinë me Kinën, si dhe në investimet kineze dhe ‘mallrat e lira’.

“Unë mendoj se punëtorët kinezë me pagat e tyre të ulëta kanë bërë shumë më mirë dhe shumë më tepër për të frenuar inflacionin sesa të gjitha Bankat Qendrore së bashku.” – argumentoi Borrell.

“Pra, mirëqenia jonë bazohej tek Kina dhe Rusia, energjia dhe tregu. Është e qartë se sot ne duhet të gjejmë mënyra të reja për energji nga brenda Bashkimit Evropian, me aq sa mundemi, sepse nuk duhet të ndryshojmë një varësi me një tjetër.”

Borrell shtoi se ndërsa rritemi ekonomikisht të varur nga Moska dhe Pekini, ‘ne deleguam sigurinë tone te SHBA-ja’. Mbështetja e tepërt te Uashingtoni krijon një ndjenjë pasigurie në Bruksel, veçanërisht nëse udhëheqja e ardhshme e SHBA-së do ishte më pak e favorshme për BE-në, tha ai.

“Kush e di çfarë do ndodhë dy vjet nga tani, apo në nëntor? Çfarë do kishte ndodhur nëse, në vend të Joe Biden, do ishte Donald Trump ose dikush si ai në Shtëpinë e Bardhë? Cila do ishte përgjigja e Shteteve të Bashkuara për luftën në Ukrainë? Cila do të ishte përgjigja jonë në një situatë tjetër?”

“Dhe përgjigja për mua është e qartë: ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi vetë. Ne duhet të marrim një pjesë më të madhe të përgjegjësisë në sigurimin e sigurisë.”– tha Borrell.

Shqetësimet për çmimet e gazit dhe frika për mungesat e mundshme kanë nxitur gjithashtu disa kompani të mëdha të zhvendosin prodhimin nga BE-ja në SHBA. Volkswagen, prodhuesi më i madh i makinave në Evropë, zbuloi muajin e kaluar se po konsideronte zhvendosjen e fabrikave të prodhimit nga Gjermania për shkak të rritjes së kostove të energjisë.