Vendosni fjalën kyçe....

Inteligjenca britanike: S’ka asnjë shenjë që Rusia po konsideron përdorimin e armëve bërthamore


Nuk ka shenja se Rusia po shqyrton përdorimin e armëve bërthamore në luftën në Ukrainë. Kështu thotë kreu i Shtabit të Komunikimeve Qeveritare (GCHQ), apo organizata e inteligjencës dhe sigurisë përgjegjëse për sigurimin e sinjaleve të inteligjencës dhe informacionit për qeverinë dhe forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Njëlloj si të tjerë zyrtarë amerikanë dhe perëndimorë, Sir Jeremy Fleming thotë se nuk kishte pasur ndonjë shenjë të aktivitetit të dyshimtë.

Siç citon BBC, Sir Jeremy paralajmëroi në një program televiziv se çdo bisedë për armë bërthamore ishte “shumë e rrezikshme”.

“Çdo bisedë për armë bërthamore është shumë e rrezikshme dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm se si po flasim për këtë.”- tha ai.

Por shtoi se: “Është e qartë për mua se ndërsa ne mund të mos na pëlqejnë dhe në shumë mënyra të urrejmë mënyrat se si makina ushtarake ruse dhe presidenti Putin po e drejtojnë këtë luftë, ata po qëndrojnë brenda doktrinës për përdorimin e tyre, duke përfshirë edhe armët bërthamore”.

Fleming shtoi: “Jam i sigurt se Putini është i shqetësuar për rreziqet e përshkallëzimit. Ai i mendon ato në terma të ndryshëm. Por mendoj se është një shenjë se ai nuk ka arritur për këto forma të tjera të zhvillimit të luftës.”