Vendosni fjalën kyçe....

Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, Berisha: Sot shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar


Partia Demokratike ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar, ku do të diskutohet mbi emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale dhe mënyrën e zhvillimit të primareve për zgjedhjen e këtyre emrave.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së Sali Berisha tha se kjo mbledhje është shumë e rëndësishme pasi sot shënojnë një hap të madh si “forcë e rithemeluar” politike.

“Kjo është mbledhje jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se ne miratojmë këtu, rregullat, në përputhje me statutin e PD-së të zhvillimit të primareve për zgjedhjet vendore dhe disa prej tyre janë të njëjta për zgjedhjet e deputetëve.

Ne sot, në përputhje me vendimet statutore shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar. Unë kërkoj nga ju, që termin rithemelim të mos e lexojmë në asnjë mënyrë si një meritë e jona. Termin ‘rithemelim’ duhet ta lëxojmë dhe ta kuptojmë si një detyrim madhor i çdo demokrateje dhe demokrati, për të bërë gjithçka që forca jonë politike t’u paraqitet shqiptarëve mbi parimet e saj të vërteta si një forcë e rithemeluar. Mos harroni një gjë, se detyra më kryesorja e jona është të fitojmë mendjet dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë. Ashtu siç ishim nuk i fitonim. Pra kërkohet një ndryshim i madh, proces në të cilin ne jemi sot, në mënyrë që të paraqitemi, të tregojmë vitalitetin tonë për t’u paraqitur si një forcë vërtet e ndryshuar, si një forcë politike e cila qëndron totalisht e përkushtuar ndaj lirive dhe vlerave të saj për qytetarin shqiptar, si një forcë politike e cila del me shpejtësi dhe përfundimisht nga apatia tetë vjeçare e saj. Rëndojmë diskutojmë njëri me tjetrin se ka frikë.

Është e vërtetë që ka frikë, është e vërtetë se Edi Rama arriti të ngulitë frikën tek punonjësit, tek qytetarët, por mos harroni se kur një regjim arreston 38 mijë qytetarë në 1 vit, sigurisht që mbjell frikë dhe terror. Por e gjitha kjo erdhi sepse ne nuk kishim lartësinë që duhej të kishim, sepse ne nuk ishim dhëmbë për dhëmbë me të, sepse të tjerët nuk panë tek ne forcën politike që u del për zot atyre. Dhe u ndala në këtë pikë që të mos rrimë duke folur për firkën por të vrasim frikën.”– tha Berisha.