Vendosni fjalën kyçe....

Arta Marku merr përsipër të ndihmojë miliarderin e shumëkërkuar në Kinë


Prokurorja e çështjes në gjyqin e sotëm për apelimin mbi masën e sigurisë për shtetasin kinez Liangbin Chen, ishte Arta Marku.

Gjykata e Apelit vendosi sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin kinez i cili u arrestua në muajin korrik në Rinas pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim kompjuterik. Kjo pasi prokurorja Arta Marku u tërhoq nga qëndrimi për ta çuar në burg kinezin, edhe pse ai është cilësuar si “tepër i rrezikshëm” nga Interpoli.

Marku siç duket ka vendosur të refuzojë ankimin e kolegëve të saj të Prokurorisë Tiranë që kërkonin “arrest me burg” për Chen, i cili akuzohet për grabitjen me mashtrim me vlerë 140 milionë euro. Kjo pasi është “bindur” nga pretendimet e shtetasit kinez, se qëndrimi në qeli i rrezikon atij jetën, për shkak të gjendjes shëndetësore.

32-vjeçari, me profesion programues kompjuterik, u arrestua në korrik pas mbërritjes në Rinas, si kreu i një grupi kriminal që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e “Mashtrimit” me pasoja të rënda. Fillimisht ndaj tij u caktua masa e “arrestit me burg”.

Por Hashtag.al në fillim të këtij muaji zbuloi përpjekjet për ta kaluar kinezin në “arrest” shtëpie”, diçka që kishte alarmuar dhe autoritetet e Interpolit (Lexo këtu).

“Ne jemi të shqetësuar sepse kalimi i tij në arrest shtëpie duket si një lëvizje e ngjashme me rastin e narkotrafikantit turk Abdulselam Turgut në vitin 2011, i cili pas vendimit të gjykatës u arratis.”– tha për Hashtag.al një burim i Interpol.

Hashtag.al mësoi se një gjyqtar, një avokat dhe ekspert mjeko ligjor, u bënë pjesë e kësaj “loje” me qëllim që i pandehuri të dilte në gjendje të lirë ose arrest shtëpie dhe të mos mund të ekzekutohet vendimi i ekstradimit drejt Kinës, duke i dhënë atij mundësi arratisjeje.

Arsyeja e kësaj kërkese lidhet me kushtet shëndetësore të këtij shtetasi duke dashur të tregojnë gjendjen e tij shëndetësore “të rënduar”, kjo një “artificë” për të bërë të mundur në dukje kushtet shëndetësore që kërkohen për revokimin e masës së sigurimit personal. Këtu hynë në lojë ekspertët mjeko-ligjorë që sajojnë një akt ekspertimi (kliko këtu) për gjendjen shëndetësore “të rëndë”.

Chen kërkoi zbutjen masës së sigurimit disa javë pasi u dha vendimi për qëndrimin e tij në burg, për shkak se pretendonte që kishte sëmundje në kokë. Kërkesa e tij u pranua nga gjyqtari i Tiranës, Kujtim Vranici. Gjyqtari vendosi masën e “arrestit në shtëpi” me mbikqyrje policore në 9 shtator. Prokuroria e Tiranës e ankimoi vendimin, duke kërkuar rikthimin në burg të shtetasit kinez. Por para se gjykata të jepte vendimin, prokurorja e Apelit, Arta Marku, deklaroi që në fillim të seancës se heq dorë nga ankimi.