Vendosni fjalën kyçe....

Referendumet ruse në Ukrainë, BE bën gati sanksionet e reja ndaj Moskës


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar një sërë sanksionesh të reja ndaj Rusisë, pas mbajtjes së referendumeve të rreme në katër rajone të Ukrainës.

Von der Leyen propozoi paketën e re të sanksioneve më 28 shtator, duke thënë se ato janë krijuar “për ta bërë Kremlinin që të paguajë çmimin” për përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë.

“Ne nuk i pranojmë referendumet e rreme dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë, dhe jemi të vendosur ta bëjmë Kremlinin të paguajë çmimin për këtë përshkallëzim të mëtejshëm”, u tha ajo gazetarëve në Bruksel.

Paketa e tetë e propozuar e sanksioneve përfshinë ndalime të mëtejshme të importit të produkteve ruse, që synojnë të privojnë Moskën nga 7 miliardë euro shtesë të ardhura.

Përfshihen po ashtu më shumë ndalime të eksportit për teknologjinë e përdorur nga ushtria, si artikujt e aviacionit dhe substancat specifike kimike, tha von der Leyen.

Përveç kësaj, paketa e sanksioneve do të vendosë bazën ligjore për një kufi të çmimit të naftës dhe do t’i ndalojë qytetarët e BE-së të ulen në organet drejtuese të kompanive shtetërore ruse, tha ajo.

Sanksionet e reja do të përfshijnë gjithashtu kufizime ndaj zyrtarëve përgjegjës për referendumet e rreme.

Propozimi tani do t’u shkojë për miratim 27 vendeve anëtare të BE-së.