Vendosni fjalën kyçe....

Mbështeti protestat për vdekjen e vajzës për shkak të hixhabit, arrestohet vajza e ish-presidentit të Iranit


Vetëm disa ditë pasi shprehu mbështetje për protestat në Iran, Faezeh Hashemi, vajza e e ish-presidentit, Akbar Hashemi Rafsanjani, u arrestua në kryeqytetin iranian nën akuza të panjohura.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, raportoi më 27 shtator se Hashemi u arrestua nga forcat e sigurisë në Teheranin lindor për “nxitje të trazirave.

Para arrestimit, Hashemi kishte thënë se autoritetet i referohen protestave që kanë tronditur Republikën Islamike në 12 ditët e fundit si “trazira” dhe “kryengritje”, me qëllimin për t’i shtypur ato.

“Ajo që [autoritetet] duan të përcjellin është se këto nuk janë protesta, janë trazira, por në fakt janë protesta”, tha Hashemi në një audio regjistrim të siguruar nga Shërbimi Iranian i REL-it,

Hashemi tha se shumica e protestuesve janë të rinj, të cilët kanë kërkuar të drejta në lidhje me “çështjen e hixhabit dhe pikëpamjen e talibanëve për çështjet e grave dhe ato sociale”.

“Kjo tregon se të rinjtë tanë duan një të ardhme, duan të kenë një jetë. Ata nuk po përpiqen të rrëzojnë regjimin, megjithëse mund të shkojë në këtë mënyrë”, shtoi ajo.

Protestat në Iran janë nxitur nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini.

Ajo ka vdekur teksa ka qenë në mbajtje të Policisë për Moral, e cila ka ndalur gruan me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Zyrtarët kanë thënë se Amini ka vdekur nga sulmi në zemër, mirëpo familjarët e saj, dhe disa grupe për të drejta të njeriut, kanë hedhur poshtë këto supozime, duke thënë se ajo ka pasur shëndet të mirë.