Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i jep pafajësinë ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza


Foto LSA

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili u shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  gjatë vettingut me pretendimin se kishte fshehur një dënim për vjedhje, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit.

Vendimi për shkarkimin e Thanzës u mor nga KPK-ja më 17 korrik 2018 për fshehjen e dënimit në Itali dhe për mosjustifikimin e pasurisë.

Gjatë seancës së vettingut, KPK-ja pohoi se rezulton se është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë nga Gjykata e Pizas në Itali në vitin 1999 për një vjedhje në supermarket.

Njoftimi i Gjykatës së Apelit

Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me datë 12.07.2018 i ka kërkuar Presidencës së Republikës Formularin e Vetëdeklarimit për Garantimin e Integritetit të Persona që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione Publike, plotësuar nga anëtari i Gjykatës së Lartë z. Admir Thanza, i cili dyshohet të këtë kryer veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”. Për shkak se nuk ka deklaruar në Formularin e Vetëdeklarimit vendimin penal të Gjykatës së Pizas, Itali.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale Admir Thanza, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 të K.Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 1411, datë 31.05.2019 ka vendosur:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Admir Thanza për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal dhe në baze të kësaj dispozite, dënimin e tij me 9(nëntë) muaj burgim.

-Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Admir Thanza për një periudhë kohe prej 18(tetëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin vendor të Provës Tiranë.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale Admir Thanza, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Shala dhe anëtarë znj. Emona Muçi dhe znj.Irida Kacerja, me vendimin nr. 853, datë 26.09.2022 vendosi:

– Ndryshimin e Vendimit Nr. 1411, date 31.05.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në këtë mënyrë:

– Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.Th, akuzuar se ka kryer vepër penale te parashikuar nga Neni 190/1 te K/Penale.”