Vendosni fjalën kyçe....

Nxënësit e shkollës ‘Mehmet Akif’ protestë para Ministrisë së Arsimit, kërkojnë dorëheqjen e Kushit


Nxënësit e shkollës ‘Mehmet Akif Ersoy’ që u mbyll pak ditë më para pas një vendimi të qeverisë, janë mbledhur mëngjesin e sotëm në një protestë para Ministrisë së Arsimit.

Ato kundërshtojnë mbylljen e shkollës ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Kushi. Përveç nxënësve në protestë marrin pjesë edhe prindërit e tyre dhe përfaqëues të shkollës.

Ato i kanë kërkuar ministres Kushi që të dalë e t’u shpjegojë arsyet e vërteta të mbylljes së shkollës. Vendimi nga qeveria u mor në mbledhjen e fundit të saj.

Një ditë më pas ministra Kushi shpjegoi se mbyllja kishte ardhur pasi shkolla kishte shitur godinën ku ishte licencuar për të ushtruar aktivitetin e ishte zhvendosur diku tjetër pa leje.

Ndërkohë përfaqësuesit e shkollës ‘Mehmet Akif’ kanë pohuar se do e ndjekin në rrugë ligjore çështjen. Përveç shkollës, qeveria ka mbyllur edhe kopshtin ‘Turgut Ozal’. Ata janë shprehur se janë në rregull me të gjitha detyrimet e kërkuara nga shteti e kanë paralajmëruar proces gjyqësor.