Vendosni fjalën kyçe....

Grupi i gjelbër që influencon politikat e Joe Biden ka lidhje të thella me qeverinë kineze


Një nga grupet që ka ndikuar në politikbërjen e Joe Biden, ka lidhje të thella me qeverinë kineze. Sipas “Fox News”, bëhet fjalë për Këshillin e Mbrojtjes së Burimeve Natyrore (NRDC), një organizatë jofitimprurëse me bazë në qytetin e Nju Jorkut, me aktive totale që tejkalojnë 450 milionë dollarë.

Ky grup ka punuar gjerësisht në çështjet e klimës në Kinë që nga mesi i viteve 1990 dhe disa nga zyrtarët e saj të lartë kanë punuar për Partinë Komuniste Kineze, ose institucionet e sponsorizuara nga qeveria.

NRDC gjithashtu mban një marrëdhënie të ngushtë pune me administratën e Presidentit Biden. Ish-presidentja e NRDC-së, Gina McCarthy, shërbeu si “cari i klimës” së Bidenit nga janari 2021 deri në fillim të këtij muaji.

Presidenti aktual, Manish Bapna, ka marrë pjesë në të paktën dy takime në Shtëpinë e Bardhë.

NRDC komunikon rregullisht me zyrën e të dërguarit të posaçëm presidencial për Klimën, John Kerry për çështjet e politikave, sipas emaileve të brendshme të Departamentit të Shtetit të marra nga grupi mbikëqyrës Protect the Public’s Trust.

Në faqen e saj të internetit, NRDC thekson bashkëpunimin e saj me një “gamë të gjerë partnerësh kinezë dhe ndërkombëtarë” për të nxitur politikat e gjelbra dhe “fortifikuar” rregulloret mjedisore në vend.

NRDC, megjithatë rrallë e dënon qeverinë komuniste në Kinë, pavarësisht nga gjurma masive e karbonit në botë e vendit dhe angazhimit kinez ndaj energjisë së karburanteve fosile. Kina përbën rreth 27% të totalit të emetimeve globale – gati trefishin e totalit në SHBA, emetuesi i dytë më i madh në botë, dhe vazhdon të miratojë dhe ndërtojë një sasi të madhe termocentralesh me qymyr.

E pavarësisht kësaj, në faqen e grupit thuhet: “Kina ka marrë një angazhim serioz për t’i kthyer qytetet e saj në vende më të shëndetshme për të jetuar dhe aktualisht kryeson botën në instalimin e energjisë së rinovueshme dhe depërtimin e automjeteve elektrike.”

Ndërsa grupi ka një program të konsiderueshëm ndërkombëtar që shtrihet në Kanada, Indi dhe Amerikën Latine, zyra e tij e vetme jashtë SHBA-së ndodhet në Pekin, kryeqytetin e Kinës. Faqja e internetit e NRDC-së në gjuhën kineze thotë se zyra është e regjistruar nën Byronë Komunale të Sigurisë Publike të Pekinit dhe e mbikëqyrur nga Administrata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave të Kinës.

Regjistrimet më të fundit tatimore të NRDC-së treguan se zyra kineze ka 35 punonjës dhe ka një buxhet vjetor prej 4.2 milionë dollarësh. Për krahasim, puna ndërkombëtare e grupit në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme ka 11 punonjës dhe një buxhet vjetor prej 1.1 milionë dollarësh.

Është e paqartë nëse NRDC pranon financime direkte apo indirekte nga individë apo organizata të lidhura me qeverinë kineze. Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në përgjithësi nuk kërkon që organizatat jofitimprurëse të zbulojnë publikisht informacionin e donatorëve.

Organizata, e cila u themelua në vitet 1970 si “organizata e parë jofitimprurëse e Amerikës e përqendruar në çështjet gjyqësore, e dedikuar për të pastruar ndotjen e tyre nga industritë e pista”, ka paraqitur dhjetëra sfida ligjore duke nxitur masat e gjelbra të ekstremit të majtë.

Nëpërmjet përpjekjeve të saj ligjore, NRDC ka kundërshtuar programet vendase të shpimit të naftës dhe gazit, impiantet e qymyrit, tubacionin Keystone XL dhe projektet kritike të minierave minerale.

Grupi u mburr në dhjetor 2019 pasi kishte ngritur padinë e 100-të kundër administratës Trump.

“Asnjë administratë nuk është mbi ligjin dhe NRDC do të vazhdojë ta provojë këtë.”- tha grupi në atë kohë.

H.Sterling Burnett, drejtor i Qendrës për Politikat Klimatike dhe Mjedisore të Institutit Heartland tha në një intervistë për Fox News: “Nuk ka të bëjë me emetimet e gazrave serrë, apo jo? Epo, nëse do të ishte, ata do të flisnin për Kinën gjatë gjithë kohës, pa pushim. Por nuk janë.

Pse NRDC nuk po sulmon Kinën? Së pari, ata e dinë se Kina thjesht mund t’i dëbojë. Së dyti, është e vështirë të kafshosh dorën që të ushqen. Nëse paguhesh për të mos kritikuar dikë, atëherë nuk ke nevojë t’i kritikosh.”

Lidhjet e NRDC me Kinën dhe standardi i dukshëm i dyfishtë i organizatës mbi politikat e klimës së SHBA-së ka sjellë zemërimin e ligjvënësve republikanë.