Vendosni fjalën kyçe....

Prodhuesit gjermanë paralajmërojnë mungesë të letrave higjienike


Prodhimi gjerman i letrës higjienike është nën një presion të tillë nga kriza evropiane e gazit, saqë vendi mund të përballet me mungesë të prodhimit.

Disa kompani tashmë kanë deklaruar falimentim ose kanë shkurtuar prodhimin për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, teksa drejtuesit e industrisë i bëjnë thirrje qeverisë të vendosë kufij çmimesh.

“Nga ajo që dëgjojmë, kjo krizë ka të ngjarë të jetë më e rëndë për industritë prodhuese sesa ishte Covid.” – tha Carsten Rolle, kreu i politikës së energjisë dhe klimës në shoqatën e biznesit BDI, për Financial Times të premten.

Me frikën në rritje të mungesës së energjisë dhe rritjes së kostove të energjisë mes furnizimeve të pakësuara të gazit nga Rusia, Essity – e cila zotëron marka të tilla si Zewa, Libresse dhe Lotus – thotë se tashmë i është dashur të rrisë çmimet deri në 18% dhe po shqyrton burime alternative të karburantit.

Ndërkohë, prodhues të tjerë letre higjienike, si Hakle me bazë në Dusseldorf, e cila funksionon që nga viti 1928, kanë filluar të deklarojnë falimentim, duke pretenduar se rritja e çmimeve të energjisë, kostot e larta të pulpës dhe shpenzimet e transportit i kanë bërë bizneset e tyre të paqëndrueshme financiarisht.

“Në një kohë shumë të shkurtër, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit kanë shpërthyer në një masë të tillë që sigurisht që ato nuk mund t’u kalohen klientëve tanë kaq shpejt.” – tha për Reuters Karen Jung, shefja e marketingut të Hakle.

Sipas institutit ekonomik IWH, rreth 718 njësi ekonomike gjermane falimentuan në gusht, një rritje prej 26% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shifër pritet të mbetet në rreth 25% në shtator dhe të rritet në 33% në tetor.

Industria gjermane e letrës po i bën thirrje qeverisë së Olaf Scholz të vendosë një kufi të çmimit të energjisë, duke pretenduar se është e vetmja gjë që mund të ndalojë falimentimet.

“Unë nuk mendoj se vala e falimentimeve mund të ndalet nëse nuk kemi një kufi të çmimit të energjisë.” – tha Volker Jung, drejtor menaxhues i Hakle për FT.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti i Shoqatës së Industrisë së Letrës, Martin Krengel, tha në një deklaratë se ‘prioriteti kryesor’ ishte ‘të sigurohej që njerëzit të furnizohen me këtë mall të rëndësishëm’.

Çmimet në Gjermani, si dhe në pjesën më të madhe të BE-së, janë ngritur shumë prej disa muajsh. Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë (Destatis) raportoi këtë javë se çmimet e energjisë në vend ishin rritur me rreth 139% gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa çmimi i energjisë elektrike u rrit me 174.9%.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se ekonomia po shkon drejt një recesioni pasi PBB-ja gjermane pritet të bjerë me 0.7% vitin e ardhshëm.