Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i mjekut te Trauma, Shoqata e Reanimatorëve: Pamje të tilla s’janë parë as kur janë arrestuar kriminelë të rrezikshm


Shoqata e Anestezistëve e Reanimatorëve të Shqipërisë ka shsprehur shqetësimin për mënyrën denigruese të ndalimit të mjekut Fitim Marku në spitalin e Traumës.

Në reagim thuhet se shoqata mbështet çdo veprim të organeve ligjzbatuese për hetimin e ndëshkimin për çdo shkelje të kryer gjatë ushtrimit të detyrës por shpreh njëkohësisht shqetësimin për pamjet e bujën mediatike më të cilën u ndalua mjeku.

Në deklaratën e shoqatës thuhet gjithashtu se pamje të tilla nuk janë parë edhe në rastin e ndalimit të kriminelëve të rrezikshëm apo zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të madh.

Në fund shoqata thotë se nuk duhet harruar as fija e hollë që ndaj simulimin gjatë hetimit e provokimin.

“Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë po ndjek me shumë vëmendje rastin e ndalimit të kolegut tonë anestezist në Spitalin e Traumës, Fitim Marku. Ndërkohë që mbështesim cdo veprim të organeve ligjzbatuese për hetimin dhe ndëshkimin e cdo shkeljeje të kryer nga kushdo gjatë ushtrimit te detyrës, shprehim shqetësimin tonë për mënyrën denigruese të ndalimit të mjekut. Pamje të tilla, të bëra publike, ku mjeku me uniformë shoqërohet nga policë të maskuar nuk i shërbejnë askujt që kërkon me të vërtetë përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend. Vlen të kujtojmë se operacione të tilla, të organizuara me kaq bujë mediatike, nuk i kemi parë as në rastet e ndalimit të kriminelëve të rrezikshëm apo zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të përmasave të mëdha! Jemi të sigurt që kolegu mjek do të ishte paraqitur pranë organeve përkatëse edhe me një fletëthirrje të thjeshtë. Të mos harrojmë as vijën shumë të hollë që ndan simulimin gjatë hetimit dhe provokimin, gjë që ata që organizojnë operacione të tilla e dinë shumë mirë. Urojmë që kolegu të provojë pastërtinë e figurës së tij, nëpërmjet një procesi të drejtë ligjor.” – thuhet në reagimin e shoqatës.