Vendosni fjalën kyçe....

“Ku është drejtësia sot?!” – Përplasen në Kuvend Tabaku e Manja: Ne e ndamë drejtësinë nga politika


Sot mbahet seanca e radhës plenare ku diskutohet mbi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim”.

Por seanca ka nisur me debate. Deputetja e Partisë Demokratike gjatë fjalës së saj foli për largimin e të rinjve nga vendi me gomone drejt Anglisë. Ajo u ndal tek Reforma në Drejtësi dhe ngritja e SPAK-ut, ndërsa akuzoi qeverinë se po i bën presion drejtësisë.

“Marrëveshja është një marrëveshjes standarde. Pse po ikin shqiptarët nga një vend ku nuk ka luftë. Qindra të rinj hedhin çantë në shpinë dhe ikin në Angli.  Çdo ditë ikin nga 700-1000 të rinj. Gjithçka nën hundën e një shteti vigjilent që justifikon këtë krim, por që lejon që të shkretojnë Shqipërinë. Janë shqiptarë se shohin se këtu konkurrenca dhe tregu i lire nuk ekziston, janë shqiptarë që nuk shohin shpresë. Janë qytetar që shteti ligjin se zbaton për të fortin po për të dobtin. Shqiptarët nuk janë budallenj.

Reforma në Drejtësi, ku është sot drejtësia? Drejtësia që aq shumë e kërkuam. Një aferë korruptive si ajo e inceneratorëve vazhdon dhe merr para nga buxheti i shtetit. Si ka mundësi që drejtësia hesht kur ka prova se si ministra e ish -ministra kanë shkelur ligjin për të ndihmuar Klodian Zoton e Stella Gugallen. Ne e dimë shumë mirë që SPAK-u po kërcënohet. Nuk e ngritëm SPAK se dëshiruam kurban në politike, por që ligji të zbatohet njësoj që ligji të jetë njëlloj për qytetarin dhe të fortin. Pas reformës në Drejtësia qeveria ka vendosur që të sulmojë SPAK. Nuk ka shoqëri të shëndetshme nëse nuk ka drejtësi. Prandaj ikin shqiptarët sepse drejtësia e vonuar vret shpresën. Që kjo Reformë në Drejtësi mos të dështojë duhet të mbështet nga parimet që ka pas PD në 2016.”- u shpreh Tabaku.

Por ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kërkoi fjalën për ta kundërshtuar.

“Në fakt replikat zakonisht i bëjmë nga vendi por dola këtu për të thënë shumë shkurt një përgjigje që do duhet ti shërbejë kësaj salle dhe një kolegeje. Kolegia Tabaku pyeti pse e bëmë reformën në drejtësi dhe ku ndodhet drejtësia sot. Gjithë thelbi i diskutimit ky ishte.

E para zonja Tabaku e bëmë që në këtë sallë të mos flitet më për pushtet të pavarur për drejtësinë, por që politika të rrijë larg drejtësisë. Ky ishte thelbi.

 Sepse drejtësia deri dje ishte në këmbët e politikës dhe u desht vullneti I kësaj shumice dhe I 140 kolegëve që votuan ndryshimet kushtetuese. S’ke pse e bën këtë pyëtje më në këtë sallë dhe do u sugjeroja të gjithëve mos ta bëni. Sigurisht Parlamenti ka mekanizmat e vet të kontrollit parlamentar mbi një pushtet tjetër të pavarur, por pyetje të tilla mos i bëni.

 E dyta ku është drejtësia sot, drejtësia sot as më shumë e as më pak po bën detyrën. Dhe nëse keni raste konkrete ku është ndërhyrë hapur tek drejtësia, është mirë tua thoni shqiptarëve këtu në këtë sallë dhe sa për marrëdhënien e kësaj maxhorance me drejtësinë, është si drita e diellit ndryshimi jonë me ju. Raporti ynë me drejtësinë ka qenë konseguent. Për raportin tonë, sot ke ish-ministra, ish-kolegë tanë që po përgjigjen para drejtësisë. Dil këtu thuaj kush është personi dhe çështja konkrete por retorikë politike s;mund të ketë. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. SPAK-u po bën detyrën.”– tha Manja.