Vendosni fjalën kyçe....

Ishte një nga të ftuarit në funeralin e mbretëreshës Elizabeth II, mbretëresha daneze infektohet me Covid-19


Mbretëresha e Danimarkës ka rezultuar pozitive me Covid-19 për herë të dytë këtë vit. Për këtë arsye mbretëresha Margrethe II ka anuluar takimet e saj për këtë javë pas diagnozës.

Monarkja 82-vjeçare ishte një nga 2000 të ftuarit që morën pjesë në funeralin shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II të hënën. Ajo është kryetarja më jetëgjatë e shtetit në Evropë pas vdekjes së monarkes britanike. Ajo u bë sovranja e parë femër e Danimarkës në vitin 1972 në moshën 32-vjeçare pas vdekjes së babait të saj, mbretit Frederick IX.

Margrethe II dhe mbretëresha Elizabeth II ishin kushërira të treta, pasi që të dyja e kishin prejardhjen nga Mbretëresha Viktoria.

Mbretëresha Margrethe është vaksinuar kundër Covid dhe ka rezultuar pozitive për herë të fundit në shkurt të këtij viti kur paraqiti simptoma të lehta. Në një deklaratë në faqen e internetit të pallatit, një zëdhënës tha se ajo do të shërohej në Pallatin Fredensborg, në veri të Kopenhagenit.

Djali dhe trashëgimtari i saj, Princi i Kurorës Frederik dhe gruaja e tij Mary, Princesha e Kurorës, do të zënë vendin e saj në pritjen e anëtarëve të qeverisë, parlamentit danez dhe anëtarëve danezë të Parlamentit Evropian të premten.

Ditët e fundit, Mbretëresha Margrethe u fotografua në disa evente në Londër për të shënuar vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.