Vendosni fjalën kyçe....

Adoleshenti në Shkodër gjen portofolin e turistit italian me mbi 6 mijë euro brenda, nuk e mban për vete por e dorëzon në Polici


Një 16-vjeçar në Shkodër, ndërsa ecte në rrugë të dielën ka gjetur një portofol brenda të cilit kishte gati 7 mijë euro, një shumë për të cilën atij do t’i duhej të punonte tërë vitin për ta fituar.

Por çfarë bëri Erindi? Ai nuk mbajti asgjë për vete, përkundrazi iu drejtua Policisë për të gjetur pronarin e portofolit.

Efektivët e policisë së Shkodrës u shtangën kur në dyert e komisariatit u shfaq 16-vjeçari që kërkonte të dorëzonte paratë, një gjest që jo të gjithë e bëjnë.

 “Duke kaluar në rrugë pashë një portofol, e mora, kishte letra italiane, karta banke, gjëra. Pashë që ishte pak i rëndë. Duke kontrolluar nëpër rrugë në po kalon njeri deri në gjysmë ore, s’kaloi njeri. Shkova kontrollova diku ku s’mund të më shihte njeri dhe pashë që kishte edhe para në të. Kishte gati 6-7 mijë euro në të.”- tregon adoleshenti për “Top Channel”.

Punonjësit e policisë mësuan se portofoli i përkiste turistit italian Claudio Perrinella, i cili ishte ndalur në fshatin e Oblikës në Shkodër, ku banon Erindi, për të blerë diçka dhe pastaj portofoli i kishte rënë nga xhepi. Brenda kishte kartën e identitetit, karta të llogarive bankare dhe një shumë prej mbi 6000 eurosh.

Pasi iu kthye portofoli, italiani e shpërbleu të riun me 100 euro. I pyetur nga gazetari i “Top Channel” se pse nuk i mbajti për vete ato para, i riu u përgjigj: “Për mendimin tim ai lek nuk mund të futet në shtëpi. Më mirë 100 euroshi që më dha italiani, se 6 mijë e 400 euro haram.”

16-vjeçari tregon për se në familjen e tij të gjithë janë punëtorë të thjeshtë dhe janë mësuar që çdo gjë ta fitojnë me djersë. Ai vetë gjatë javës vazhdon shkollën e mesme ndërsa në fundjavë punon si ndihmës kamarier në një prej restoranteve në qytet. Ndërsa pasditeve stërvitet me ekipin e Shkodrës.