Vendosni fjalën kyçe....

Pas Prokurorisë, edhe AMA thirrje medieve: Mos i publikoni informacionet sensitive që nxorën hakerat


Përveç Prokurorisë, edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka bërë thirrje mediave të ndalojnë publikimin e të dhënave të nxjerra nga hakerat e “Homeland Justice” që nxorën një ditë më parë e-mail-et e ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gledis Nanos.

Janë i njëjti grup hakerash që kanë goditur sistemin TIMS dhe sistemet e tjera të brendshme të institucioneve në vendin tonë.

Në një njoftim, AMA sqaron se mes informacioneve që po shpërndahen ka edhe të dhëna që lidhen me sekrete hetimore deri në elementë të cenimit të sigurisë kombëtare. Prandaj kërkohet nga mediet të tregohen të përgjegjshme dhe të ndalojnë publikimin e tyre.

Prokuroria e Tiranës ditën e djeshme vendosi që të ndalojë publikimin në media dhe portale të email-eve të Nanos, me argumentin se publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare.

Deklarata e plotë

OSHMA-të përgjegjësi profesionale në raport me sigurinë kombëtare

AMA ka identifikuar se së fundmi në programet audiovizive informative po zënë vend dhe publikime të të dhënave që janë siguruar nga hakerimi në sistemet e teknologjisë së informacionit të disa prej institucioneve publike.

Mes informacioneve që po shpërndahen ka dhe të dhëna sensitive, që lidhen me sekrete hetimore nga institucionet dhe agjencitë e rendit dhe sigurisë publike, deri dhe dokumente me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, sipas përfaqësuesve të prokurorisë që po hetojnë rastet.

Duke respektuar standardin e veprimtarisë së lirë audiovizive, apo të pavarësisë editoriale në hartimin dhe prodhimin e katalogëve të programeve nga subjektet e licencuara, AMA, ka pritmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare.

Fakt është një pjesë e OSHMA-ve nuk kanë preferuar të publikojnë të dhënat sensitive me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, duke respektuar kështu dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës dhe duke mos rënë pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë, ndërkohë që bëjmë apel dhe kërkojmë që dhe nga OSHMA të tjera të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues.

Autoriteti i Mediave Audiovizive