Vendosni fjalën kyçe....

Noka i drejtohet qeverisë: Patronazhistëve duhet t’u jepni dekoratë, po fyeni shqiptarët


Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, ka ngritur se PS po ndryshon me urgjencë Ligjin për informacionin e klasifikuar.

Sipas tij, me këtë “u shërben patronazhistëve” duke ironizuar se atyre duhet t’u jepen edhe dekorata.

 “Është shumë qesharake, nuk ka bërë vaki të flitet me këtë terminologji ndonjëherë në komisione dhe në parlament. Unë e kuptoj që këtu është bërë ndryshimi i ligjit dhe do të hartohet një plan vjetor për patronazhistët.

I pari është patronazhisti që duhet të gjendet një rrugë për t’i dhënë dekoratë, do të vazhdohet më pas me kabinetin për të marrë dekorata.

Sigurisht që duhet ta amendojë mirë ligjin qeveria për t’i dhënë edhe Lames një dekoratë për mashtrime, për korruptim, për vjedhje, për abuzim, për fyerje të shqiptarëve, për tallje me shqiptarët. Sepse dekoratë tjetër pse duhej urgjencë për t’u ndryshuar ky ligj në një situatë të tillë unë nuk shoh.”- tha Noka.

Ai vazhdoi të thotë mbi të gjitha se këto ndryshime po vijnë në një kohë sulmesh kibernetike e zhvillimesh të frikshme.

 “Kjo është fyerje për çdo shqiptar sidomos në kohën kur po ndodhin zhvillime të frikshme. Zhvillime të frikshme jo vetëm në aspektin ekonomik dhe politik në këtë vend por edhe përsa i përket aspektit të sigurisë kombëtare që mbulon si komision. Do të fyesh shqiptarët? Ja ku i ke. Vazhdo me këto projektligje.“– vazhdoi Noka.