Vendosni fjalën kyçe....

Ish-gruaja e Bill Gates fajëson politikanët e bardhë për dështimet e Uashingtonit: Duhen më shumë gra e njerëz me ngjyrë në politikë


Filantropistja Melinda French Gates, ish-bashkëshortja e bashkëthemeluesit të Microsoft, Bill Gates, ka fajësuar burrat e bardhë për ato që ajo i sheh si mangësi politike të Uashingtonit, duke përfshirë dështimin e qeverisë për të siguruar një rrjet të përshtatshëm sigurie sociale për amerikanët.

“Duhet të jeni të sinqertë. Ka shumë burra me pushtet në Kapitol Hill në Shtetet e Bashkuara.” – tha French Gates në një intervistë të botuar këtë javë nga revista Fortune. Zgjedhja e më shumë grave dhe politikanëve jo të bardhë do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit, shtoi ajo.

“Ne jemi i vetmi vend i industrializuar që nuk kemi një politikë të fortë të pushimit mjekësor familjar me pagesë dhe kjo nuk duhet të jetë më kështu.”

French Gates i bëri komentet e saj pavarësisht fitimeve të forta të kohëve të fundit në numrin e grave dhe njerëzve jo të bardhë që shërbejnë në Kongres.

Gratë tani mbajnë 28% të vendeve të Kongresit e Senatit të SHBA-së dhe Kongresi i tanishëm është më i larmishëm nga pikëpamja racore në historinë e Amerikës, sipas shifrave të përpiluara nga Shërbimi i Kërkimeve të Kongresit. Më shumë se 27% e vendeve mbahen nga jo të bardhët.

Megjithatë, një raport i publikuar këtë javë nga Fondacioni Bill & Melinda Gates parashikoi se bota nuk do të arrijë barazinë gjinore të paktën deri në vitin 2108, ‘tre breza më vonë se sa kishim shpresuar’. French Gates tha se një ‘problem i madh’ është se politikanet femra nuk tërheqin aq shumë fonde për fushatën sa homologët e tyre meshkuj.

French Gates u martua me burrin e saj, atëherë njeriu më i pasur në botë, në vitin 1994, shtatë vjet pasi kishte gjetur një punë në Microsoft. Çifti njoftoi divorcin e tyre vitin e kaluar mes akuzave për pabesi nga Bill Gates dhe konflikteve për marrëdhënien e tij me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein.

French Gates doli nga divorci si një filantropiste miliardere dhe aktiviste politike më vete, duke lobuar tek administrata e Presidentit Joe Biden për çështje të tilla të politikës së brendshme si investimet në infrastrukturë dhe pushimet e paguara familjare.