Vendosni fjalën kyçe....

Uji vërshon në rrugët e Bashkisë Tropojë, kryebashkiaku: Jemi drejt një katastrofe


Rrebeshet e shiut kanë përfshirë të gjithë vendin duke sjellë rrezik të madh për përmbytje.

Situata më emergjente duket se është në Trpojë. Kryebashkiaku Rexhe Byberi, ka publikuar foto të dëmeve që ka shkaktuar shiu i pandërprerë në disa zona.

Byberi bën apel që institucionet të kenë një vëmendje të shtuar, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes. Ai njofton se kanalizimet janë të tejmbushura. Gjendja më alarmante paraqitet në fshatin Vlad.

Sipas tij përshkallëzimi i situatës në të gjithë territorin e bashkisë që ai drejton po shkon drejt një katastrofe natyrore.

“Situate emergjente e tejskajshme ne Tropoje. Shiu i pandërprerë prej dy ditësh shoqëruar me stuhi e rrebeshe po sjell dëme te mëdha ne Tropoje. Ndodhem se bashku me stafin tim prej mesnate ne Njësinë Administrative Bytyç ku po monitorojmë situatën.

Jo vetem rruget, kanalizimet, janë te tej mbushura por nga gërryerjet dhe shembjet e mëdha janë ne rrezik banesat e qytetareve. Gjendja me alarmante eshte ne fshatin Vlad por pothuajse ne te gjithe territorin e Bashkisë përshkallëzimi po shkon drejt një katastrofe natyrore.

Apeloj ne mënyrë urgjente jo vetëm pranë institucioneve përgjegjëse shtetërore por dhe tek secili banor i Tropojës për kujdes te shtuar dhe solidaritet. Kujdesi me i madh duhet te jete tek rezervuarët e tejmbushur te cilët rrezikojnë ne raste si ky. Ne jemi e do te jemi pranë qytetareve kudo ku janë ne vështirësi me mjetet dhe burimet tona njerëzore qe te përballojmë këtë situate te rende e te papritur”, shkruan ai.

Ndërkohë bashkia e Lezhës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale informoi qytetarët se reshjet e dendura të shiut, të parashikuara gjatë fundjavës, mund të krijojnë probleme të ndryshme për qytetarët.