Vendosni fjalën kyçe....

Pranga 52-vjeçarit në Dhërmi, i kapen 4840 tableta të dyshuara ekstazi e drogëra të tjera


Një 52-vjeçar është arrestuar në Dhërmi pasi akuzohet për shitje lëndësh narkotike.

Në pranga ka rënë Ardian Tati, banues në Dhërmi, i cili sipas policisë shpërndante drogë në lokalet e natës në zonë.

Gjatë kontrollit atij i janë kapur 4840 tableta të dyshuara ekstazi, MDMA, ketaminë, amfetaminë, LCD, një sasi lënde e dyshuar kokainë si dhe një sasi të hollash.

Njoftimi

“Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza. Finalizohet operacioni policor i koduar “Tablets”. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Vlorë dhe me Komisariatin e Policisë Himarë. Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike ekstazi, LCD, MDMA, ketaminë, amfetaminë, kokainë, të ndara në doza gati për shitje dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet kriminal. Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Vlorë dhe me Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Tablets”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: 

-A. T., 52 vjeç, banues në Dhërmi.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesës së tij, në Dhërmi, u gjetën dhe u sekuestruan 4840 tableta të dyshuara ekstazi, doza me lëndë të dyshuar narkotike MDMA, ketaminë, amfetaminë, LCD, një sasi lënde e dyshuar kokainë dhe dhe një sasi parash (euro dhe lekë) e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ua shiste lëndë narkotike personave të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike, në zonën e Dhërmiut, kryesisht në lokalet e natës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.”