Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk e japim Vlorën!”- Qytetarët vlonjatë presin me protestë mbërritjen e anijes së parë nga Bangladeshi


Sikurse ishte paralajmëruar, një nga dy anijet e marra me qira për prodhimin e energjisë elektrike ka mbërritur këtë mëngjes në portin e Vlorës.

Por mbërritja e anijes nuk është pritur mirë nga një pjesë e qytetarëve vlonjatë të cilët janë ngritur në protestë.

“Nuk e japim Vlorën”, shkruhet në banderolën e madhe të shpalosur prej protestuesve, të cilët janë të shetësuar për ndotjen e lartë që mund të shkaktojnë këto anije.

Në prill të këtij viti Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi se Shqipëria do të merrte me qira dy anije nga Bangladeshi që prodhojnë energji elektrike, ndërsa kontrata do të jetë 2-vjeçare.

Këto anije do të stacionohen në port për të prodhuar energjinë, që do të plotësojë nevojat e krijuara nga kriza energjetike në vend dhe rritja e çmimit për kwh në bursën ndërkombëtare. Sipas qeverisë ato pritet të përmbushin 15% të kërkesës së vendit për energji.

Por kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur këtë zhvillim një “masakër energjetike“, pasi sipas tij këto anije do të helmojnë Vlorën”, pasi gjeneratorët vihen në punë me mazut dhe jo me gaz siç deklaron qeveria.