Vendosni fjalën kyçe....

“Të marrë fund epoka e kontrollit të shpejtësisë me sy”- Rama heq policinë rrugore nga akset kombëtare (Porositë për drejtorin e ri)


Përveç porosisë për “t’i dhënë fund dilemës për fatin e Ervis Martinajt” (lexo këtu), kryeministri Edi Rama i ka lënë detyra të tjera drejtorit të ri të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

E një prej këtyre detyrave ka të bëjë me Policinë Rrugore.

Rama kërkoi nga Rrumbullaku largimin e Policisë Rrugore nga akset kombëtare dhe zëvendësimin me makinat inteligjente.

 “Policia rrugore duhet të ikë nga pritat rutinë në rrugët kombëtare. Makinat inteligjente mund ta kryejnë funksionin, do mbyllet përfundimisht epoka e kontrollit të shpejtësisë me sy. Që sot policia rrugore do largohet nga të gjitha pritat në rrugët kombëtare. Policia kriminale duhet të ristrukturohet tërësisht.
Kemi fituar avantazhe të rëndësishme në terrenin e luftës me krimit dhe nuk mund të vihet në pikëpyetje.”– tha Rama.

Po kështu ai u ndal tek struktura e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit që e cilësoi absurde dhe tha se duhet të rithemelohet dhe të merret me milionerët në shkallët e larta: “Krimi Ekonomik në Policinë e Shtetit, struktura më absurde, më joeficente, më kokëforta përballë çdo përpjekje për ndryshim që është bërë. Ka kaluar nga parazitizmi në aktivitet banditesk, kështu që duhet të rithemelohet, të merret me krimin financiar, në shkallët e larta, me milionerët në shkallët e larta, jo si kategori, por ata që janë problem, aty ku dhe biznesi ndërvepron me politikën dhe jo të dalë për gjah, adresë më adresë e biznes më biznes.”

Po ashtu Rama duke iu drejtuar drejtorit të ri u shpreh: “Brenda 100 ditësh Policia e shtetit duhet të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet”.

Rama gjithashtu i dha detyrë drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, që t’i japë fund dilemës për fatin e të ashtuquajturit si “mbreti i Lojërave të Fatit” Ervis Martinajt: “Drejtori i ri i Policisë së Shtetit që merr sot detyrën si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore duhet të sigurohet dhe të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë. Dhe nëse i kërkuari është vrarë, t’i thuhet publikkut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë, të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë.

Mes të tjerash, Rama mohoi ndërhyrjet për emërimet në Policinë e Shtetit, një nga aludimet e përmendura në media për arsyet e shkarkimit të drejtorit të mëparshëm të Policisë, Gledis Nanos.

“Siç e ka pasur paraardhësi juaj, pa kushte, pa asnjë ekuivok, pa asnjë interferencë, qoftë e largët dita kur unë do zë me gojën time emrin e ndonjë oficeri policie, deri tani s’ka ardhur, mbështetjen time do e keni dhe ju. Telefonatave dhe ju e keni për detyrë t’i përgjigjeni, por kërkesave në telefon nuk keni për detyrë t’i përgjigjeni, nga kushdo qoftë që të vijnë. Ditën që unë do t’ju marr në telefon duke ndërhyrë, ju keni të drejtë të bëni shërbime të kësaj natyre.”– tha Rama.