Vendosni fjalën kyçe....

Steve Bannon do përballet me akuza të tjera në Nju Jork


Steve Bannon, dikur një këshilltar i rëndësishëm i ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe përfitues i faljes presidenciale, pritet të dorëzohet pranë autoriteteve të Nju Jorkut të enjten për t’u përballur me një aktakuzë të re, thotë një person që ka njohuri për këtë çështje.

Zoti Bannon u akuzua në vitin 2020 në një gjykatë federale për mashtrim me një fond për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Por aktakuza u hodh poshtë pasi Presidenti Trump e fali atë pak orë para se t’i mbaronte mandati.

Çështja e re bazohet në akuza penale pranë një gjykate të shtetit të Nju Jorkut, dhe mund të pasqyrojë pjesë të çështjes së mëparshme. Personi me dijeni mbi çështjen tha se aktakuza është e vulosur dhe nuk ka detaje të tjera. Një zëdhënës i prokurorisë së Qarkut të Manhatanit nuk pranoi të komentonte, raporton VOA.

Vetë zoti Bannon publikoi një deklaratë mbrëmjen e së martës, pasi gazeta Washington Post raportoi për herë të parë lidhur me padinë e re.

“Nuk është asgjë më shumë se një veprim politik i sistemit të drejtësisë penale”, tha zoti Bannon në deklaratë. Ai tha se prokurorët federalë në Manhatan bënë të njëjtën gjë në gusht të vitit 2020 në përpjekje për ta larguar atë nga fushata zgjedhore e atij viti.

“Nuk funksionoi atëherë; sigurisht që nuk do të funksionojë tani”, tha ai. Zoti Bannon pritet të paraqitet në gjykatën shtetërore në Manhattan të enjten dhe më pas të lirohet në pritje të gjyqit, tha individi që ka dijeni për çështjen.

Një president mund të falë individë për krime federale, por jo për krime shtetërore.

Zoti Bannon nuk është personi i parë i afërt me zotin Trump që akuzohet në gjykatën shtetërore. Në vitin 2019, prokuroria e Qarkut të Manhatanit u përpoq të hapte një çështje kundër ish-shefit të fushatës së Trump-it, Paul Manafort nën akuza penale që ishin të ngjashme me krimet për të cilat zoti Manafort ishte dënuar në gjykatën federale.

Por akuzat u hodhën poshtë bazuar në praktikat ligjore se një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtin krim. Zoti Manafort u fal nga Presidenti Trump në vitin 2020. Kjo ngjashmëri mund të mos funksionojë për zotin Bannon pasi ai nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor.