Vendosni fjalën kyçe....

SHBA ndalon firmat e ‘teknologjisë së avancuar’ të ndërtojnë fabrika në Kinë për 10 vjet


Kompanitë amerikane të teknologjisë që marrin fonde federale do të ndalohen të ndërtojnë objekte të “teknologjisë së avancuar” në Kinë për 10 vjet.

Udhëzimet e reja u zbuluan si pjesë e një plani prej 50 miliardë dollarësh që synon ndërtimin e industrisë lokale të gjysmëpërçuesve. Kjo vjen pasi grupet e biznesit kanë kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria në një përpjekje për të reduktuar varësinë nga Kina.

Ata janë përballur me një mungesë globale të mikroçipëve që ka ngadalësuar prodhimin. Por ata që do marrin para nga qeveria ka edhe rregulla.

“Ne do të zbatojmë barriera mbrojtëse për t’u siguruar që ata që marrin fonde nuk mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare… ata nuk lejohen t’i përdorin këto para për të investuar në Kinë, ata nuk mund të zhvillojnë teknologji të avancuara në Kinë… për një periudhë dhjetë vjeçare.”- sipas Sekretares së Tregtisë së SHBA-së, Gina Raimondo, citon BBC.

SHBA dhe Kina janë të bllokuara në një mosmarrëveshje të gjatë mbi tregtinë dhe teknologjinë.

Në gusht, presidenti i SHBA-ve Joe Biden kishte nënshkruar një ligj që angazhonte 280 miliardë dollarë për prodhimin e teknologjisë së lartë dhe kërkimin shkencor, mes frikës se SHBA po humbet avantazhin e saj teknologjik ndaj Kinës. Investimet përfshijnë ulje tatimore për kompanitë që ndërtojnë fabrika të prodhimit të çipave kompjuterikë në SHBA.

Shtetet e Bashkuara aktualisht prodhojnë afërsisht 10% të furnizimit global të gjysmëpërçuesve, të cilët janë çelësi për gjithçka, nga makinat tek telefonat celularë, nga gati 40% që prodhonte në 1990.

Ambasada kineze në Uashington e kishte kundërshtuar projektligjin e gjysmëpërçuesve, duke thënë se të kujton një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.