Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Perëndimi të na japë turbinën dhe do lëshojmë gazin nëpërmjet Nord Stream 2


Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska është e gatshme “që nesër të lëshojë” gazsjellësin Nord Stream II për të ofruar gaz në Evropë nëse Bashkimi Evropian (BE) jep dritë jeshile.

Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, Putin tha se duhet vetëm shtypja e një butoni për të vënë në veprim gazsjellësin Nord Stream II.

Ai shtoi se ndërtimi i tubacionit nuk ishte “për kot”, sepse Rusia zotëroi teknologjitë dhe fitoi aftësi të reja.

E njëjta gjë vlen edhe për gazsjellësin Nord Stream I, tha Putin, duke shtuar se ai mund të vihet në funksion shumë shpejt.

Kompania ruse e energjisë Gazprom po pret që turbina e pompimit të gazit të rifillojë dërgesat, tha ai.

“Na jepni turbinën, nesër do të lëshojmë gazsjellësin Nord Stream”, tha ai.

Presidenti rus hodhi poshtë akuzat për “shantazh energjetik”, duke theksuar se Ukraina mbylli një linjë të tubacionit të gazit “nën një justifikim jo bindës”.

Ai gjithashtu tha se Polonia vendosi sanksione ndaj një tjetër tubacioni rus, i cili çoi në situatën ku vetëm një tubacion gazi, Nord Stream I, mbeti në funksion, duke shtuar se Rusia do të kërkojë tregje të reja për shitje në Azi.

Putin u shpreh se për momentin ka përparim në lidhje me dërgesat në Kinë dhe Mongoli, me palët që kanë rënë dakord për të gjithë parametrat kryesorë, përfshirë çmimet.