Vendosni fjalën kyçe....

Kostoja e importit të energjisë në Itali do dyfishohet në 100 miliardë euro – Reuters


Kostoja e importeve të energjisë në Itali pritet të dyfishohet në 100 miliardë euro, raporton Reuters, duke cituar ministrin e Ekonomisë Daniele Franco.

Roma nuk mund të vazhdojë të shpenzojë pafundësisht për të zbutur goditjen në ekonomi, paralajmëroi ministri, duke folur në forumin vjetor të biznesit Ambrosetti. Ai shtoi se borxhi i lartë i Italisë zvogëlon hapësirën e saj për manovrim.

Sipas Frankos, rritja prej rreth 60 miliardë euro, krahasuar me koston neto të importeve të energjisë të Italisë prej 43 miliardë eurosh të regjistruar vitin e kaluar, do të arrijë në afërsisht 3% të PBB-së së vendit në vitin 2022.

“Po transferojmë jashtë vendit një pjesë të konsiderueshme të fuqisë sonë blerëse.” – theksoi ai.

Italia thuhet se mbështetet në importet për gati 75% të konsumit të saj të energjisë, duke rritur cenueshmërinë e saj ndaj krizës së tanishme të energjisë që po përhapet në të gjithë rajonin. Në fillim të vitit 2022, Italia importonte 40% të gazit të saj nga Rusia, por në korrik blerjet e gazit nga vendi i goditur nga sanksionet ranë në 25%. Kështu, Italia ka kaluar Gjermaninë për sa i përket pakësimit të varësisë së saj nga gazi rus.

Në fund të korrikut, anëtarët e BE-së ranë dakord mbi planin për të zvogëluar konsumin e tyre të gazit me 15% gjatë muajve të ardhshëm. Hapi synon rritjen e sigurisë energjetike të bllokut duke kursyer gazin për dimrin e ardhshëm mes krizës energjetike në rritje.

Më herët, shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore italiane Eni, Claudio Descalzi, tha se vendi mund të mbijetojë dimrin pa gazin rus. Ai shtoi se objektet italiane të depozitimit të gazit ishin plot 54% në qershor, por ato duhet të mbushen 70-80% deri në tetor.

Më 31 gusht, Eni njoftoi se Gazprom kishte pakësuar furnizimin me gaz në Itali nga 27 milionë metra kub në 20 milionë metër kub. Duke filluar nga 2 shtatori, Gazprom ndërpreu plotësisht furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1, duke përmendur probleme teknike.