Vendosni fjalën kyçe....

Pilotët e Lufthansa-s grevë 24 orëshe të premten, anulohen qindra fluturime


Pilotët e transportuesit ajror gjerman Lufthansa do hyjnë në një grevë 24-orëshe të premten për një mosmarrëveshje të vazhdueshme për pagat me kompaninë. Sindikata e pilotëve ‘Vereinigung Cockpit’ (VC) tha të enjten se bisedimet e fundit me drejtuesit nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë përparim.

“Lufthansa duhet të paraqesë një ofertë të përmirësuar ndjeshëm.” – tha negociatori Marcel Groels në një deklaratë, duke shtuar se pozicionet e drejetuesve të kompanisë dhe sindikatës ishin ‘shumë larg’ tani për tani.

Ai tha se komisioni i bisedimeve kolektive po kërkon kompensim për humbjen e pagave dhe strukturën konkurruese ndërkombëtare të shpërblimit në të gjitha grupet e profesioneve.

Greva e së premtes do fillojë në orën 00:01 të mëngjesit me orën lokale dhe do përfundojë në orën 23:59 sipas sindikatës dhe do të ndikojë si fluturimet e pasagjerëve ashtu edhe ato të mallrave.

Në një deklaratë të veçantë, Lufthansa tha se anuloi pothuajse të gjitha fluturimet drejt dhe nga Frankfurti dhe Mynihu për të premten pasi pilotët do hyjnë në grevë.

Linja ajrore po anulon 800 fluturime të cilat do të prekin 130,000 pasagjerë, tha ajo, duke shtuar se Lufthansa po punon për t’i kthyer operacionet e saj të fluturimeve në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur.

Mund të ketë më shumë anulime ose vonesa fluturimesh këtë të shtunë dhe të dielë, paralajmëroi linja ajrore.

“Ne nuk mund ta kuptojmë thirrjen e sindikatës për grevë. Kemi bërë një ofertë shumë të mirë dhe të ekuilibruar nga pikëpamja shoqërore, pavarësisht nga ngarkesat e vazhdueshme të krizës së Covid dhe perspektivat e pasigurta për ekonominë globale.” – tha Michael Niggemann, Shefi i Burimeve Njerëzore në Lufthansa.