Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e gazetares ruse, Ukraina thërret të dërguarin e Vatikanit: Zemra jonë u thye nga fjalët e Papës


Kievi ka thirrur përfaqësuesin e Vatikanit në Ukrainë për të paraqitur një ankesë zyrtare lidhur me komentet e bëra në fillim të kësaj jave nga Papa Françesku për vrasjen e gazetares rus Darya Dugina në Moskë.

Ministri i Jashtëm Dmitry Kuleba tha gjatë një konference për media të enjten se Kryepeshkopi Visvaldas Kulbokas kishte vizituar Ministrinë e Jashtme të Ukrainës më herët gjatë ditës.

Kievi ishte ‘i zhgënjyer’ me komentet e bëra nga Papa në përgjigje të vrasjes së Darya Dugina, një gazetare dhe komentatore politike ruse. Ajo u vra nga një bombë e vendosur në makinën e babait të saj. Moska identifikoi një grua ukrainase si të dyshuarën kryesore dhe akuzoi Kievin për organizimin e vrasjes, por Kievi ka mohuar çdo përfshirje.

Papa Françesku e quajti Duginën një ‘vajzë të shkretë’ dhe u ankua se konflikti ruso-ukrainas po merrte jetë të pafajshme nga të dyja palët. Në përgjigje, Kievi pretendoi se kreu i Kishës Katolike Romake kishte vendosur shenjën e rreme të barazisë midis ‘agresorit dhe viktimës’.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se nuk mund ta kuptonte pse ai përmendi vdekjen e ‘një qytetari rus në territorin rus që nuk kishte të bënte me Ukrainën’.

Dmitry Kuleba tha gjithashtu se ‘zemra e Ukrainës u gris nga fjalët e Papës’, duke i quajtur ato ‘të padrejta’.

Ambasadori i Kievit në Vatikan, Andrey Yurash, më herët e kritikoi Papën në Tëitter. Ai e quajti Duginën një ideologe të ‘imperializmit rus’ dhe jo një person të pafajshëm dhe pretendoi se ajo u vra nga ‘rusët’.

Dugina ishte vajza e filozofit polemizues rus Aleksandr Dugin. Mediat perëndimore e kanë portretizuar për vite me radhë si një influencues të fshehtë të politikës së jashtme ruse. Darya Dugina ndau disa nga pikëpamjet e tij politike dhe ishte një kritike e ashpër e qeverisë së tanishme të Ukrainës.

Sulmi me bombë ndodhi fundjavën e kaluar teksa të dy po largoheshin nga një festë familjare së bashku pranë Moskës.

Sipas raporteve fillestare, babai duhej të udhëtonte me të bijën në makinën ku ishte vendosur bomba, duke bërë që shumë njerëz të besonin se ai ishte objektivi i synuar. Hetuesit rusë më vonë thanë se e dyshuara mori me qira një apartament në bllokun ku jetonte Dugina, duke treguar se vajza mund të ketë qenë objektivi.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani