Vendosni fjalën kyçe....

“Sikur të më vinin shkelmin në fyt”- Shqiptari me fëmijë të lindur në Britani drejt dëbimit


Një shqiptar i cili kishte mbi 10 vite në Britani është dërguar javën e kaluar në qendrën e largimit të imigracionit në Harmondsworth, pranë aeroportit Heathrow dhe i është thënë se do përballet me dëbim të menjëhershëm. Kjo vetëm një ditë pasi Ministria e Brendshme britanike njoftoi planet për të shpejtuar largimin e azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar.

The Guardian” shkruan se shqiptari i cili kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar një dekadë më parë, nuk ka precedentë penalë, nuk është arratisur kurrë dhe i ka respektuar vazhdimisht kërkesat e imigracionit duke raportuar çdo dy javë në Home Office. Po ashtu dy fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar.

“Është sikur t’më kenë vënë gjurin në fyt, sikur po më mbytin.“- tha ai, duke folur nga qendra e largimit. “Ata erdhën për të kontrolluar restorantin ku unë po ndihmoja, më shumë se 10 prej tyre, të gjithë të veshur me uniforma. Ata thanë se kishin një informatë se një punonjës i paligjshëm është këtu dhe filluan të pyesnin njerëzit për mua. Ata nuk më dhanë asnjë shpjegim, vetëm më çuan në stacionin e policisë, më mbajtën atje dhe më pas në qendrën e imigracionit. Më trajtojnë si kafshë.”

Burri, i cili po mbahet nën akuzat e imigracionit të paligjshëm pasi i janë shteruar të drejtat e tij për apelim, thotë se ka të drejtë për jetën familjare pasi fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar. Ai beson se Home Office po synon në mënyrë të padrejtë shqiptarët.

“I gjithë ky vend (Harmondsworth) është plot me shqiptarë. Duket sikur po na rrethojnë për të na futur në një charter nga këtu. Djali me të cilin po ndaj qelinë, dhe mbi gjysma e kësaj ane të kampit janë shqiptarë. Më shkoi në mendje se kjo është një hakmarrje ndaj nesh. Duket se qeveria po gjen boshllëqe për të na nxjerrë jashtë. Të gjithë janë kaq të shqetësuar dhe të frikësuar, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne.”– tha shqiptari sipas gazetës britanike.

Të enjten, Ministria e Brendshme njoftoi një marrëveshje me qeverinë shqiptare, e cila synon të largojë azilkërkuesit e refuzuar “sa më shpejt të jetë e mundur” pas rritjes së numrit të mbërritjeve me varka të vogla nga Shqipëria. Shifrat e fundit tregojnë se 2 mijë e 165 shqiptarë mbërritën në Britaninë e Madhe me varka të vogla në gjashtë muajt e parë të 2022, krahasuar me 23 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, nga të gjithë ata që hynë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kësaj rruge, më shumë se gjysma (51%) ishin nga tre kombësi, ku shqiptarët dhe afganët secili përbënte 18% të tyre.