Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti: Jam i gatshëm t’ia jap dorën Aleksandër Vuçiçit nëse biem dakord të heqim kontrollet kufitare në të ardhmen



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga data 1 shtator do të hyjnë në fuqi masat e reciprocitetit për targat dhe për dokumentet për hyrje-dalje.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt” ai u shpreh se është i gatshëm për një marrëveshje me Serbinë, madje edhe t’i shtrëngojë duart me Vuçiçin nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen.

“Kontrollet e planifikuara kufitare për qytetarët serbë që duan të udhëtojnë në Kosovë dhe rregulloret e reja për targat do të jenë të detyrueshme dhe do të zbatohen për një kohë të pacaktuar nga 1 shtatori. Por unë jam gati të shtrëngoj duart me Vuçiçin nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen, atëherë ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Atëherë 1 shtatori do të ishte pa rregulla të reja.”– deklaroi ai për revistën gjermane.

Ne intervistë Kurti u pyet edhe për barrikadat dhe tensionet e 31 korrikut. Sipas tij ato nuk u shkaktuan nga serbët e thjeshtë në atë pjesë, por nga krimi i organizuar dhe oligarkët.

“Trazirat e 31 korrikut nuk u shkaktuan nga qytetarët e thjeshtë të pakicës serbe në veri të Kosovës, por nga krimi i organizuar dhe oligarkët, të cilët janë në listën e pagave të Serbisë dhe të cilët u informuan në takimet në Beograd se çfarë duhet të bëjnë në Kosovë. Kjo ishte punë e porositur. Pasi u hoqën barrikadat, unë – në konsultim me SHBA-në dhe BE-në – e shtyva me 30 ditë vendosjen e masave.”- tha ai.

Një nga pyetjet e tjera që iu drejtua ishte nëse “Vladimir Putin po luan me zjarrin në Kosovë?”.

Kurti u përgjigj: “Besoj se as presidenti i Serbisë Vuçiç dhe as ai i Rusisë Putin nuk mund të abuzojnë me pakicën serbe në Kosovë. Qytetarët e thjeshtë nuk marrin pjesë në politikat luftarake ndaj vendit tonë. Për këtë janë njerëzit në listën e pagave të Serbisë. Këta kriminelë me dashje nxisin trazira vazhdimisht. Por ne jemi vigjilentë, nuk kemi frikë nga këta kriminelë.”

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka përmendur edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje. Ai tha se si rezultat i manovrave ushtarake të Serbisë, është e nevojshme që në Kosovë të rritet numri i forcave të KFOR-it.

“E kemi rritur buxhetin e mbrojtjes për 52 për qind, forcat tona të sigurisë kombëtare tani janë 5000 ushtarë dhe 3000 rezervistë. Por rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe. Rusia dhe Serbia punojnë ngushtë së bashku në politikën ushtarake, ata ndërmorën gjithsej 104 manovra dhe aktivitete së bashku në vitin 2021 – disa nga forcat e armatosura bjelloruse ishin gjithashtu të përfshira. Për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, është urgjentisht e nevojshme të rritet ndjeshëm numri i ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Kjo do të përmirësonte qartë sigurinë tonë. Do të na ndihmonte gjithashtu nëse më shumë ushtarë gjermanë do të merrnin pjesë në forcat mbrojtëse të NATO-s se më parë, gjë që rrit parandalimin. Përveç kësaj, trupat e Kfor-it mund të na ndihmojnë të zhvillojmë më tej strukturat dhe aftësitë e tyre të sigurisë.”- tha kryeministri kosovar.