Vendosni fjalën kyçe....

Qyteti italian punëson personin mistik që përdor lavjerrësin për të gjetur ujë mes thatësirës


Një qytet italian i goditur nga thatësira ka kontraktuar një mistik për të kërkuar ujëra nëntokësore me ndihmën e një lavjerrësi mes valëve të të nxehtit rekord në të gjithë Evropën.

Bajardo, një qytet i vogël në bregdetin e Ligurias me më pak se 350 njerëz, premtoi t’i paguante një burri të quajtur Renato Labolani 300 euro për të kryer kërkime për ujë ‘me një metodë psikike bujqësore’, sipas kontratës komunale.

Labolani praktikon kërkimin e ujit nëntokësor me një mënyrë të pazakontë. Ai përdorur një shkop me pirun, një shufër ose një lavjerrës. Shumica e mistikëve besojnë se ata marrin dridhje natyrale nga uji nën tokë.

“Unë përdor një lavjerrës që më tregon gjithçka: ku është uji, sa ka, sa i thellë është.” – tha Labolani, i cili ka 30 vjet përvojë në këtë fushë, sipas gazetës ‘Il Foglio’.

“Unë bëj pyetjen: sa ujë është në këtë zonë? Pesëqind litra, një mijë, tre mijë? Unë eci për aq kohë sa lavjerrësi është duke lëvizur, dhe më pas ai ndalon.”

Kryebashkiaku Remo Moraglia i tha gazetës se ai ka besim te Labolani.

“Dy nga pesë burimet tona janë tharë që nga maji.” – tha kryebashkiaku, duke shtuar se Labolani ka gjetur ujë në qytetin e afërt Apricale në të kaluarën dhe ka gjetur tashmë dy burime uji në Bajardo. Inxhinierët do studiojnë nëse mund të gërmohen puse në vendet që tregoi ai, shtoi kryebashkiaku.

“Për momentin, është vetëm një sondazh.” – tha Moraglia.

“Është si dikush që shkon te një mjek për t’i thënë nëse është mirë apo jo.”

Ashtu si pjesa tjetër e Evropës, Italia vazhdon të goditet nga valë të jashtëzakonshme të nxehtit këtë verë, me rajonin e Ligurias që regjistroi periudhën më të gjatë të nxehtësisë në korrik.