Vendosni fjalën kyçe....

Petrit Vasili: SPAK me pushime për inceneratorët, por në punë vetëm për gjeneralitetet e Metës, është kthyer në “zorrën qorre” të Ramës


Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka reaguar lidhur me hetimin e SPAK-ut ndaj Ilir Metës.

Vasili e akuzon Prokurorinë e Posaçme se është shndërruar në “zorrën qorre” të Edi Ramës duke u vendosur qartësisht sipas tij në shërbim të hapur mafies së inceneratorëve.

“SPAK vetëdeklaroi asgjësimin dhe shndërrimin në zorrën qorre të Edi Ramës duke u vendosur qartësisht në shërbim të hapur mafies së inceneratorëve.
Bashkë me SPAK mori fund përfundimisht edhe reforma në drejtësi.
SPAK u vendos në krah të Mafias së Inceneratoreve dhe të antiligjit dhe kundër detyrës që të hetojë, të çojë pas hekurave hajdutët e qeverisë të kapur me një mal me dokumente, fakte e prova.
Lodhje e kotë.”- shkruan Vasili.

Ky reagim vjen pas hetimeve që SPAK po bën ndaj kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, të nisur pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.

Vasili ironizon SPAK-un duke thënë se është me pushime për inceneratorët por del në punë për gjeneralitetet e Metës.

Komenti i plotë i Vasilit

Për inceneratorët SPAK është me pushime. Del në punë vetëm për “gjeneralitetet” e Ilir Metës.

Mos mendoni se SPAK pushon! Punon SPAK, punon! Ja dhe një provë tjetër e punës së madhe të jashtëzakonshme edhe në kulmin e vapës!
Kërkon “Gjeneralitetet” e Ilir Metës në mes të gushtit, firmos edhe nga jashtë pa qenë në zyrë, se këto janë direktivat më madhore që kanë marrë nga Tao Tao, për të prodhuar lajme shashka vetëm e vetëm se është Rama në hall e me ujin gjer në grykë.
Ndërkohë SPAK vetëm dje ka marrë 50 dokumente asgjësuese për inceneratorët, për 430 milionë euro të vjedhura dhe të grabitura nga Edi Rama, Erion Veliaj, Damian Gjiknuri, Armando Subashi dhe plot e plot të tjerë se lista është pafund.
Por për këto qindra dokumente për Inceneratorët SPAK është me pushime, ja që nuk lëviz dot dhe nuk i punon dora, por për Ilir Metën, që e njeh gjithë Shqipëria bëjnë sikur kërkojnë gjeneralitete.
SPAK vetëdeklaroi asgjësimin dhe shndërrimin në zorrën qorre të Edi Ramës duke u vendosur qartësisht në shërbim të hapur mafies së inceneratorëve.
Bashkë me SPAK mori fund përfundimisht edhe reforma në drejtësi.
SPAK u vendos në krah të Mafias së Inceneratoreve dhe të antiligjit dhe kundër detyrës që të hetojë, të çojë pas hekurave hajdutët e qeverisë të kapur me një mal me dokumente, fakte e prova.
Lodhje e kotë.
Inceneratorët nuk mbulohen dot me përralla vere me “gjeneralite” sepse afera e Inceneratorëve do të rëndohet keq e me keq.