Vendosni fjalën kyçe....

Ndërpritet tranziti i gazit rus drejt BE-së përmes Nord Stream – Gazprom


Gjiganti rus energjetik Gazprom njoftoi të premten se tranziti i gazit natyror në Bashkimin Evropian nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream 1 do të ndalet nga 31 gushti deri më 2 shtator për mirëmbajtje.

“Më 31 gusht, e vetmja njësi e kompresorit të gazit Trent 60 që funksionon do mbyllet për tre ditë për mirëmbajtje.” – deklaroi kompania, duke theksuar se të gjitha riparimet do kryhen së bashku me specialistë të prodhuesit gjerman, Siemens.

Gazprom shtoi se ‘pas përfundimit të punës dhe mungesës së keqfunksionimeve teknike të njësisë, transporti i gazit do rikthehet në nivelin e 33 milionë metër kub në ditë.” – që përfaqëson afërsisht 20% të kapacitetit të plotë të tubacionit.

Njësia është e fundit nga gjashtë turbinat e tubacionit që ishte funksionale, ndërsa pjesa tjetër kishte nevojë për një riparim. Njëra prej turbinave aktualisht është bllokuar në Gjermani për shkak të sanksioneve, pas kthimit nga punimet e riparimit në Kanada.

Furnizimi me gaz rus në BE nëpërmjet Nord Stream 1 ra në 20% të nivelit maksimal muajin e kaluar. Sipas Gazprom, pesë turbina duhet të funksionojnë për të pompuar gaz me kapacitet të plotë. Çmimet evropiane të gazit u rritën pas njoftimit të së premtes, duke u rritur me 7% në mbi 2,600 dollarë për mijë metër kub.