Vendosni fjalën kyçe....

Senati amerikan miraton bashkimin e Suedisë dhe Finlandës me NATO-n


Senati amerikan ka miratuar me shumicë dërrmuese anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Ambasada amerikane i ka bërë jehonë njoftimit të Shtëpisë së Bardhë sipas të cilit votimi është sinjal i rëndësishëm i angazhimit të SHBA-së dhe NATO-s për të qenë të përgatitur për sfidat e së nesërmes.

Finlanda e Suedia kanë qenë vende asnjanëse edhe pas themelimit të Aleancës por vendosën të aplikojnë për anëtarësim në NATO pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Turqia është një nga vendet që kundërshton tani për tani anëtarësimin e dy vendeve skandinave në NATO duke theksuar ndasitë që ka me to për çështje të ndryshme mes të cilave mbështetja që Stokholmi e Helsinki u japin grupeve kurde të cilat Ankaraja i konsideron si terroriste.

Të gjitha vendet e NATO-s duhet të ratifikojnë në parlamentet respektive kërkesën e Suedisë dhe Finlandës përpara se kjo të ndodhë.

Deklarata e plotë e Shtëpisë së Bardhë

Sot, Senati miratoi me shumicë dërrmuese partnerët tanë të ngushtë Finlandën dhe Suedinë që t’i bashkohen NATO-s. Ky votim historik dërgon një sinjal të rëndësishëm të përkushtimit të qëndrueshëm, dypartiak të SHBA-së ndaj NATO-s dhe për të siguruar që Aleanca jonë të jetë e përgatitur për të përballuar sfidat e së sotmes dhe së nesërmes.

Falënderoj anëtarët e Senatit, veçanërisht udhëheqësin e shumicës Schumer, udhëheqësin e pakicës McConnell, Senatorin Menendez dhe Senatorin Risch, për udhëheqjen e tyre dhe për përparimin e shpejtë të procesit të ratifikimit, procesi më i shpejtë i Senatit për një protokoll të NATO-s që nga viti 1981. Me Finlandën e Suedinë që bashkohen, Aleanca do të forcojë më tej sigurinë kolektive të NATO-s dhe do thellojë partneritetin transatlantik.

Siç i thashë kryeministrit Andersson dhe presidentit Niinistö kur i prita në Shtëpinë e Bardhë në maj, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurinë e Suedisë dhe Finlandës. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të qëndruar vigjilentë ndaj çdo kërcënimi ndaj sigurisë sonë të përbashkët dhe për të penguar dhe përballur agresionin ose kërcënimin e agresionit. Mezi pres të nënshkruaj protokollet e anëtarësimit dhe të mirëpres Suedinë dhe Finlandën, dy demokraci të forta me ushtri shumë të afta, në aleancën më të madhe mbrojtëse në histori.”