Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Sarandës bllokon tre motorë uji: Kryenin manovra të rrezikshme duke rrezikuar jetën e pushuesve


potamTre motorë detarë janë bllokuar nga policia e Sarandë.

Sipas njoftimit, mjetet u identifikuan nga pamjet në rrjetet sociale ndërsa sipas bluve përdoreshin për të kryer manovra të rrezikshme duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Në njoftim thuhet se tre mjetet janë sekuestruar ndërsa pronarët e tyre janë ndëshkuar me respektivisht me 10 mijë e 20 mijë lekë të reja gjobë.

Bllokimi i mjeteve vjen një ditë pas ngjarjes së rëndë në plazhin e Potamit ku vajzë e mitur 5-vjeç u godit nga një skaf që drejtohej nga një Komisar policie i cili ndodhej me pushime aty.

E mitura humbi jetën në vendin e ngjarjes ndërsa pas kësaj drejtori i Policisë së Shtetit Nano shkarkoi drejtuesit e policisë së Vlorës të cilët akuzohen se nuk kishin marrë masat e duhura për parandalimin e ngjarjes.

Në dy javët e fundit aksidenti në Potam ishte i treti me mjetet detare. Më herët një çift bashkëshortësh dhe një turist i huaj u lënduan nga mjetet detare.

Njoftimi

“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve të mjeteve lundruese, duke marrë shkas dhe nga pamjet filmike të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqeshin disa shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese, në det, duke rrezikuar pushuesit, kanë bërë të mundur lokalizimin e 3 mjeteve lundruese “Jet ski”.

Pas lokalizimit të tyre, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkua me masë administrative 10.000 lekë të rinj, shtetasi R. H., 24 vjeç, banues në Sarandë, pronar i një mjeti lundrues dhe me masë administrative 20.000 lekë të rinj, shtetasi R.Ç., 21 vjeç, banues në Sarandë, pronar i dy mjeteve lundruese (10.000 lekë për secilin mjet).

Gjithashtu u bë bllokimi i të 3 mjeteve lundruese “Jet ski” me të cilët u kryen manovra të rrezikshme, në plazh, pasi gjatë kontrollit kanë rezultuar pa dokumentacionin përkatës, në bord. Policia Kufitare do të vijojë kontrollet dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.”