Vendosni fjalën kyçe....

Politikat mjedisore, KLSH: Bashkitë s’kanë struktura dhe as fonde buxhetore


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se njësitë vendore nuk kanë struktura të dedikuara që të mund të zbërthejnë politikat mjedisore kombëtare në plane lokale dhe po kështu nuk kanë fonde të disponueshme për zbatime konkrete të prioriteteve.

Në auditimin e performancës që përfshin 7 bashki dhe vitet 2018-2021 Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se janë pikërisht këto disa nga problematikat që hasen.

“Edhe pse mbrojtja e mjedisit nga ndotja e dëmtimi përbën përparësi kombëtare dhe është e detyrueshme për të gjitha organet shtetërore29, ajo nuk ka patur vëmendjen e duhur nga ana e NJVQV-ve subjekt auditimi. Pavarësisht përpjekjeve, për periudhën objekt auditimi, vitet 2018- 2021, ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të politikave mjedisore në nivel vendor. Thuajse në të gjitha NJVQV-të e audituara mungojnë struktura të dedikuara për të prodhuar politika mjedisore, si dhe qartazi ka munguar mbështetja me fonde buxhetore” thuhet në auditim.

I njëjti konstaton se niveli i bashkëpunimit dhe koordinimit mes aktorëve, pjesë e procesit të hartimit dhe implementimit të politikave mjedisore është i ulët, dhe sistemi i raportimit në lidhje me politikat mjedisore mungon plotësisht në të gjitha NJVQV.

“Zbërthimi i plotë i politikave të nivelit qendror në politika lokale, nuk pasqyrohet në përputhje me kërkesat e Ligjit nr. 10431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”. Edhe në rastet e pakta të politikave të ndërmarra nga disa NJVQV, nuk është kryer asnjë analizë apo vlerësim, për të matur ndikimin që këto politika sjellin në mjedis” thuhet në dokument.

Sa i takon informimit të publikut audituesit vlerësojnë se proceset e informimit për çështjet mjedisore, tërheqja e mendimit të tij gjatë hartimit të politikave në nivel vendor, edukimi dhe ndërgjegjësimi i komuniteteve me synimin e përfshirjes së çdo anëtari të shoqërisë për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja e dëmtimi, si përgjegjësi e të gjithëve, kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm.

KLSH saktëson se ky auditim nuk është fokusuar specifikisht në procedura dhe procese të veçanta duke qenë se fokusi ka qenë kryesisht drejt politikave të hartuara dhe implementimit të tyre.

Njësitë vendore të marra në analizë sipas auditimit janë Bashkitë Tiranë, Vlorë, Fier, Lezhë, Shkodër, Pogradec dhe Korçë dhe sipas KLSH numri i lartë i subjekteve të përzgjedhur ka qenë për të patur një panoramë më të plotë lidhur me fokusin e auditimit në këndvështrimin e politikave të hartuara për mjedisin dhe krahasimin e qasjes që ato kanë në varësi të specifikave mbi territorin që mbulojnë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor