Vendosni fjalën kyçe....

Tregtonte medikamente të dyshuara kontrabandë, arrestohet një 52-vjeçar në Tiranë


Krimi Ekonomik në Policinë e Tiranës ka zhvilluar një operacion ku ka ndaluar një 52-vjeçar për tregtimin e medikamenteve të dyshuara kontrabandë.

Gjithashtu ka proceduar në gjendje të lirë një shtetase që po i blinte.

Nga operacioni janë sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore të dyshuara kontrabandë dhe një sasi parash.

Policia arrestoi shtetasin I.M., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante në banesën e tij, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medicines”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– I. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasja M. G., 47 vjeçe, banuese në Tiranë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Medar Shtylla”, gjatë momentit që shtetasja M. G. po i blinte një sasi medikamentesh shtetasit I. M.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit I. M., në Komunën e Parisit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, dhe një shumë parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.