Vendosni fjalën kyçe....

Media amerikane: Joe Biden është takuar me 14 nga bashkëpunëtorët e biznesit të djalit të tij kur ishte zv.president


Presidenti amerikan Joe Biden ka mohuar vazhdimisht se ka diskutuar biznes me djalin e tij, por duket se nuk është kështu.

Sipas një publikimi të fundit nga “Fox News”, presidenti Biden u takua me të paktën 14 nga bashkëpunëtorët e biznesit të Hunter Biden gjatë kohës që ai ishte zv.president, duke ngritur dyshime mbi pretendimet se ai nuk kishte njohuri mbi marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij.

“Unë kurrë nuk kam folur me djalin tim për marrëdhëniet e tij të biznesit jashtë shtetit.”– tha Biden në 2019.

“Por presidenti u takua me të paktën 14 nga bashkëpunëtorët e biznesit të Hunterit nga SHBA-ja, Meksika, Ukraina, Kina dhe Kazakistani gjatë nënpresidencës së tij.”- thotë gazeta.

Dy nga bashkëpunëtorët e biznesit të Hunterit nga Meksika, Miguel Aleman Velasco dhe Miguel Aleman Magnani e vizituan atë më 26 shkurt 2014 në Shtëpinë e Bardhë.  E më vonë Joe Biden u fotografua me birin e tij Hunter duke i bërë atyre një turne në Dhomën e Konferencës për Shtyp Brady në Shtëpinë e Bardhë.

“A keni foto nga dreka që kam ngrënë në zyrën e babait (mendoj më 26 shkurt) me Sr. Miguel Alleman dhe Jr. dhe Jeff Cooper? Nëse po, më tregoni dhe mund të dërgoj dikë që t’i marrë ato. Faleminderit. Si ishte Kievi?”- i shkroi Hunter në vitin 2014 një email David Lienemann, fotografit zyrtar të Bidenit gjatë 8 viteve të tij si zëvendëspresident.

Emailet po ashtu treguan se Hunter organizoi një video-konferencë me babanë e tij dhe Carlos Slim, një miliarder meksikan me të cilin ai po kërkonte të bënte biznes në atë kohë, më 30 tetor 2015.

Më pak se një muaj pas video-konferencës, Slim, Velasco dhe Magnani morën pjesë në një takim me Joe dhe Hunter Biden si dhe partnerin e biznesit dhe mikun e familjes së tyre, Jeff Cooper. Takimi u zhvillua në rezidencën e zëvendëspresidentit në Uashington më 19 nëntor 2015.

Në kohën e atij takimi, Hunter dhe Cooper ishin në bisedime me Slim, Velascon dhe Magnanin për të investuar në një kompani energjetike meksikane, raportonte Daily Mail, duke cituar dokumente nga laptopi famëkeq i braktisur i Hunter. Emailet treguan gjithashtu se burrat u takuan me zv.presidentin Joe në Shtëpinë e Bardhë.

Në shkurt 2016, vetëm disa muaj pas takimit në rezidencën private të Joe Bidenit, zv.presidenti thuhet se fluturoi djalin e tij dhe me Jeff Cooper në Air Force 2 në Meksiko. Hunter i shkroi një email Magnanit duke e informuar atë se do të merrte pjesë në një takim midis babait të tij dhe presidentit të atëhershëm meksikan Enrique Pena Nieto.

“Ne po mbërrijmë sonte vonë me Air Force 2 në Meksiko. Do të jemi atje për të enjten – do marr pjesë në takimin me Presidentin N me babin. Jeff është në një linjë me mua dhe ne do të jemi bashkë gjithë ditën.”- i shkruante Hunter Magnanit më 24 shkurt 2016.

Hunter e ftoi Magnanin të përshëndeste zëvendëspresidentin pas uljes, por në të njëjtin email ai më pas shpreh indinjatën me të, duke e akuzuar biznesmenin se po heshtte mbi partneritetin e tyre të biznesit, pavarësisht se Hunter i dha atij akses tek babai i tij.

“Unë kam sjellë çdo person të vetëm që më keni kërkuar ndonjëherë të sjell në Shtëpinë e Bardhë dhe në shtëpinë e Zëvendës Presidentit dhe në inaugurim dhe më pas ju heshtni plotësisht.”- shkroi Hunter në email. “Nuk e di se çfarë bëra, por do të doja të dija pse ndërsa unë kam bërë çdo gjë që keni kërkuar- ju më bëni të ndihem sikur kam bërë diçka për t’ju ofenduar.”– vazhdoi ai.

Media vazhdon duke treguar për të tjera takime të Bidenit me partnerët e biznesit të djalit të tij. Pavarësisht takimit me të paktën katërmbëdhjetë nga partnerët e biznesit të Hunterit, presidenti Joe Biden ka mohuar vazhdimisht të ketë diskutuar për ndonjë sipërmarrje biznesi me djalin e tij, i cili është nën hetim federal.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Fox News/ Përshtati në shqip me shkurtime Hashtag.al