Vendosni fjalën kyçe....

“Hap kamionin” – Çlirim Gjata reagon pas e-mailit drejtuar Gazhelit të publikuar në media: Në mos sot, mot ligji të kap


Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Çlirim Gjata ka reaguar në lidhje me denoncimet e publikuara në media ndaj drejtorit të Doganave, Genti Gazheli.

Gjatë një deklarate nga selia blu, Gjata e paralajmëroi Gazhelin se forca e ligjit një ditë do të veprojë edhe kundër tij.

“Si mëkëmbës i Edi Ramës në dogana, ai i ka krahët e ngrohta sot, por ne e sigurojmë se forca e ligjit do të veprojë. 

Në mos sot, mot!”- deklaroi Gjata.

Ky reagim vjen pas emalit të publikuar nga “News 24”, që përgjegjësi i anti-kontrabandës detare i kishte dërguar drejtorit të përgjithshëm të doganave Genti Gazheli me 4 mars 2021 ku e informonte për një për rast konkret me një kamion të dyshuar për kontrabandë me vlerë të madhe dhe ndërhyrjen e shefave të doganës për të mos lejuar kontrollin.

Përgjegjësi i anti kontrabandës detare, sfidon edhe drejtorin e përgjithshëm të doganave Genti Gazheli, duke iu drejtuar në fund të emalit me fjalët ‘hape kamionin’ për të vërtetuar thëniet e tij.

REAGIMI I PLOTË

Raportimet mediatike nxjerrin çdo ditë një provë të re për përfshirjen në vjedhje të kryedoganierit Gent Gazheli.

Fakti më i fundit është një e-mail i drejtorit të Antikontrabandës detare i cili i kërkon Gazhelit kontrollin e një kamioni me mallra kontrabandë.

Sipas e-mailit që po e tregojmë këtu, drejtori i Antikontrabandës detare flet për shkelje të përsëritura nga i njëjti kundërvajtës, me bekimin e shefave në doganë. 

 “Eprorët bëjnë çmos që ky mjeti i dyshuar si transportues mallrash kontrabandë të mos kontrollohet’, thuhet në e-mail.

Partia Demokratike denoncon këtë vjedhje të dyfishtë.

Së pari, është zhvatja e shtetit, duke kaluar mallra pa tarifa doganore ose me tarifa të reduktuara.

Së dyti, është vjedhja e drejtpërdrejtë e konsumatorit. 

Sipas komunikimit, bëhet me dije se mallrat e pazhdoganuara janë produkte të falsifikuara të firmave të shtrenjta të modës, të cilat shiten në butikët e shtrenjtë të Tiranës si origjinale.

Për të sfiduar drejtorin e Përgjithshëm të Doganave në këtë rast korruptiv, zyrtari i Antikontrabandës detare i drejtohet me fjalët ‘hape kamionin!’

Partia Demokratike i kërkon mbretit Gent të vjedhjes në dogana “të hapë krahun”.

Çdo ditë e tij me butonin e traut në dorë është një vjedhje më shumë në arkën e përbashkët publike, një dorë më shumë në xhepin e çdo qytetari.

Si mëkëmbës i Edi Ramës në dogana, ai i ka krahët e ngrohta sot, por ne e sigurojmë se forca e ligjit do të veprojë. 

Në mos sot, mot!