Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimet në qeveri, të enjten Parlamenti mblidhet në seancë të jashtëzakonshme


Të enjten pritet që të konkretizohen ndryshimet në Qeveri, pasi Kuvendi në këtë ditë ka përcaktuar një seancë të jashtëzakonshme në orën 17:00.

Ndërsa dekretet e kryeministrit Edi Rama me propozimet e reja priten të firmosen sot nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Ditën e djeshme kryeministri njoftoi disa ndryshime në kabinetin qeveritar, duke vendosur të largojë Arben Ahmetajn nga posti i zv.kryeministrit si dhe i Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.

Në vend të tij si numri dy i kabinetit qeveritar u emërua ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Ndryshimet prekën edhe çështjen e integrimit, në një kohë kur vetëm pak ditë pasi u çelën negociatat.

Rama ka shkarkuar nda detyra kryenegociatorin Zef Mazin, duke emëruar në vend të tij Majlinda Dhukën. Kjo e fundit ka marrë gjithashtu postin e ministres së Shtetit.

Kuvendi e kishte mbyllur sesionin parlamentar për këtë sezon, por për të materializuar ndryshimet qeveritare do mblidhet në një seancë të posaçme. Nëse ikjo nuk do të ndodhte, Ahmetaj do vijonte të mbetej numri dy i qeverisë të paktën deri në shtator, kur të niste sesioni i ri parlamentar.