Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat për lidhjet me Damir Fazlliç, Berisha: S’ka përfituar asnjë qindarkë, ftoj Britaninë e këdo tjetër të paraqesë çdo provë a fakt ndaj meje


Kreu i PD-së Berisha ka sqaruar akuzat e bëra nga Britania pas vendimit për shpalljen e tij ‘non grata’. Ai tha se në letrën e marrë i është thënë se shkak për këtë kanë qenë lidhje e tij me biznesmenin Damir Fazlliç.

Berisha tha se personi në fjalë ka ardhur në Shqipëri si çdo biznesmen tjetër dhe nuk ka përfituar asnjë qindarkë dhe asnjë përfitim nga ana e tij apo qeverisë së tij.

Sipas kreut të PD-së autoritetet britanike dhe ato shqiptare kanë pasur 10 vite kohë për të vëertetuar akuzat dhe mund ta bëjnë atë në çdo kohë.

Berisha shtoi se biznesmeni në fjalë vijon të bëjë ende biznes në Shqipëri ndërsa ftoi autoritetet britanike e shqiptare që të paraqesin çdo dokument apo provë që kanë ndaj tij.

“Në lidhje me shpifjet mbi të cilat bazohet vendimi i Sekretarit të Brendshëm të Britanisë, po i marr me radhë. Së pari, për akuzën se unë kam lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët i kam përdorur për qëllime politike. Kjo është një akuzë që nuk më është bërë kurrë, as nga kundërshtarët e mij dhe nga asnjë institucion zyrtar kombëtar apo ndërkombëtar. Ju jeni dëshmitarë të faktit se, askush tjetër sa unë nuk ka denoncuar pa ndalur, pa kompromis, me emra, pa marrë parasysh asnjë rrezik personal apo familjar, kriminelët, grupet e organizuara kriminale të këtij vendi, dhe lidhjet e tyre me qeveritarë. Askush tjetër në qeveri nuk ka bërë luftë ndaj krimit të organizuar, dhe nuk ka pasur rezultatet që kam pasur unë, të cilat kanë qenë kusht për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO. Dhe askush tjetër në opozitë, me asgjë më shumë se një IPad dhe fjalën time, e mbi të gjitha pa asnjë mbrojtje, përveç mbështetjes qytetare, nuk e ka bërë këtë.

Sot nuk gjen dot një shqiptar të dalë e të thotë, me cilin kriminel ka bashkëpunuar Sali Berisha, apo cili kriminel ka përfituar prej tij gjë tjetër veç burgut dhe denoncimit publik. Të gjithë kanë parë se si Edi Rama i bëri ata deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë policie, biznesmenë, investitorë strategjikë dhe, në fund, përmes amnistisë fiskale ju ofron një lavatriçe të madhe për të larë paratë e krimit dhe drogës!

Ju e dini kush ka ardhur ne pushtet me ndihmën e bandave, dhe kush i ka përdorur ato për ta mbajtur pushtetin. Sali Berisha ka ardhur në pushtet me votën e qytetarëve dhe ka dorëzuar pushtetin po përmes saj, pasi të vetmen kontratë gjithë karrierën time e kam pasur vetëm me qytetarët.

E pra, të akuzosh pa përmendur një fakt, dikë që kurrë dhe në asnjë rast nuk ka bërë kompromis me krimin, ndërkohë që vendi nën qeverisjen e Ramës rënkon nën thundrën e bandave, vrasjeve mafioze, kapjes së shtetit dhe shkrirjes së pushtetit me krimin, nuk bën gjë tjetër veçse e ndihmon atë!

Së dyti, në lidhje me biznesmenin Damir Fazlliç. Nuk kam pasur kurrë dijeni, as sot nuk di që ai të ketë qenë ndonjëherë objekt padish për aktivitet kriminal, në MB ku ai është qytetar, apo në ndonjë vend tjetër. Ai ka qenë dhe është një investitor, që ka sjellë kapital në Shqipëri nëpërmjet bankave dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar, siç kanë dëshmuar verifikimet e organeve zyrtare të fushës. Prokuroria e Ina Ramës, për mendimin tim për motive politike, çka unë e denocova, ngriti dhe zhvilloi hetime ndaj tij në përfundim të të cilave nuk provoi dot asnjë shkelje të z. Fazlliç. Dhe ju rikujtoj se, ajo për të cilën e hetonin. ishin jo tendera, prokurime të drejtpërdrejta apo para publike, por blerje e një toke private, me fonde gjithashtu private. Damir Fazlliç nuk ka përfituar kurrë, qoftë dhe një qindarkë të vetme nga unë apo qeveria ime. Ai ka vazhduar biznesin dhe investimet gjatë qeverisë Rama, dhe nëse do kish patur pengim të hetimit ndaj tij gjatë qeverisë sime, ka pasur 10 vjet kohë që të hetonte Prokuroria gjatë qeverisë Rama, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Pra, autoritetet e Britanisë të vetmin rast konkret që citojnë është i 14 viteve më parë, i cili u vendos në hetim pa asnjë fakt, për transferta të rregullta bankare, për të cilat pas hetimit, Prokuroria nuk ngriti dot padi, sepse Fazliç kishte kryer çdo gjë sipas ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, dhe kishte si faj të vetëm se ai, me Kompanine BGR, kishte këshilluar mua ne fushatën elektorale të vitit 2005, nga e cila ish-komunistët humbën. E trishtueshme është që sot, pas 14 viteve, kjo çështje përdoret si treguesi i vetëm në të cilin mbështesin vendimin e tyre autoritetet britanike.” – tha Berisha.