Vendosni fjalën kyçe....

“Nëse mbyllet furnizimi me gaz rus do e kemi shumë të vështirë ta kalojmë dimrin” – Zyrtari gjerman


Rezervat e gazit natyror të Gjermanisë nuk janë të mjaftueshme për ta kaluar vendin gjatë dimrit të ardhshëm pa blerë gaz shtesë rus, ka thënë për mediat zyrtari më i lartë përgjegjës për rrjetet e energjisë elektrike dhe gazit.

Në një intervistë me Bild am Sonntag të Gjermanisë, Klaus Muller paralajmëroi se ndërsa ‘rezervuarët e gazit janë gati 65% plot’ dhe ‘janë më mirë se në javët e mëparshme’, ende nuk mjafton ‘të kalosh dimrin pa gazin rus’.

Muller, i cili është president i Agjencisë Federale të Rrjetit të Gjermanisë, shtoi se shumë tani varet nëse puna e mirëmbajtjes në tubacionin Nord Stream 1 përfundon siç pritej të enjten.

I pyetur se sa kohë do të duhet përpara se çmimet e energjisë për konsumatorët në Gjermani të rriten më tej, në rast të një ndalimi të plotë të dërgesave të gazit rus, Muller tha se ende nuk është marrë asnjë vendim.

Megjithatë, ai ofroi siguri, duke vënë në dukje se ‘nuk ka pasur ndonjë rritje të konsiderueshme të çmimeve këtë javë, edhe pse Nord Stream 1 u mbyll’.

Zyrtari sugjeroi se kjo mund të jetë një shenjë se ‘tregjet e kanë përvetësuar tashmë humbjen e furnizimeve me gaz rus dhe ne kemi arritur kulmin e çmimit të gazit’.

Presidenti i rregullatorit të energjisë këmbënguli që gjermanët ‘nuk duhet t’i nënshtrohen panikut’, duke siguruar se ‘familjet private kanë më pak arsye për t’u shqetësuar’ dhe do pajisen me gaz shumë më gjatë se industria.

Për më tepër, sipas zyrtarit, ‘nuk ka asnjë skenar në të cilin ne mbetemi plotësisht pa gaz’. Muller vuri në dukje se edhe nëse Rusia do të shkurtonte plotësisht furnizimet, vende të tjera si Norvegjia, Holanda dhe Belgjika do vazhdonin t’i shesin karburantet fosile Gjermanisë.

Në të ardhmen, terminali i gazit natyror të lëngshëm të vendit do të bëjë gjithashtu një ndryshim, shtoi presidenti i agjencisë së rrjetit.

Muller tha se nëse ndodh racionimi i gazit, agjencia do peshojë dëmin e mundshëm të ekonomisë dhe zinxhirëve të furnizimit nga mbyllja e furnizimeve për ndonjë biznes apo fabrikë të veçantë industriale.

Zyrtari vazhdoi duke pohuar se edhe nëse do të ketë mungesë, ka të ngjarë të prekë vetëm pjesët e Gjermanisë që janë në fund të rrjetit të gazit.

Muller hodhi poshtë gjithashtu sugjerimet se Berlini duhet të ndalojë çdo eksport gazi në vendet fqinje evropiane, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit.

“Ashtu si ne tani po përfitojmë nga portet e gazit natyror të lëngshëm në Belgjikë dhe Holandë, Gjermania do u japë fqinjëve të saj një dorë ndihmë nëse ata përballen me një mungesë të madhe gazi.” – u zotua zyrtari.

Muller parashikoi se Gjermania ka dy dimra të vështirë përpara, me rrezik të mungesës së gazit, por deri në verën e vitit 2024 vendi do jetë i pavarur nga gazi rus.