Vendosni fjalën kyçe....

BE nënshkruan marrëveshje me Azerbajxhanin për të dyfishuar importin e gazit


Komisioni Evropian ka nënshkruar të hënën më 18 korrik një marrëveshje me Azerbajxhanin për të dyfishuar importet e gazit natyror në të paktën 20 miliardë metra kub në vit, deri në vitin 2027-të.

Në një vizitë në Baku, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nënshkroi me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev një memorandum mbi “një partneritet strategjik në fushën e energjisë”.

“Sot, me këtë memorandum, ne po hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin tonë energjetik me Azerbajxhanin, një partner kyç në përpjekjet tona për t’u larguar nga karburantet fosile ruse,” tha von der Leyen.

BE-ja po kërkon furnizues alternativë për Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Azerbajxhani tashmë po rrit dërgesat e gazit natyror në BE nga 8.1 miliardë metra kub në 2021-in në 12 miliardë metra kub në 2022in, bëri të ditur Komisioni Evropian.

Von der Leyen tha se furnizimet me gazin rus në Evropë nuk ishin “të besueshme” edhe para fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe se BE-ja po kthehej drejt “furnizuesve më të besueshëm”.

Presidenti I Azerbaixhanit Aliyev e vlerësoi marrëveshjen, duke thënë se bashkëpunimi energjetik BE-Azerbajxhan ka “ndryshuar tashmë hartën energjetike të Evropës”.

Në muajin maj, udhëheqësit e BE-së ranë dakord të ndalonin shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, si pjesë e sanksioneve të paprecedentë që ata vendosën ndaj Moskës për aksionin e saj ushtarak në Ukrainë.

Rusia tashmë ka filluar të reduktojë furnizimet e saj të gazit për të parandaluar vendet e BE-së të rimbushin rezervat, duke nxitur Komisionin Evropian të përgatisë “një plan për reduktimin e kërkesës për gaz” për të përballuar dimrin e ardhshëm.

Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani do të shfrytëzojë gjithashtu potencialin e tij të madh në energjinë e rinovueshme — si ajo e erës në det të hapur dhe e hidrogjenit të gjelbër — për t’u larguar nga roli i tij si furnizues i karburanteve fosile.