Vendosni fjalën kyçe....

Thatësira më e keqe 70 vitet e fundit ‘gjunjëzon’ Italinë


Italia veriore po përballet me thatësirën më të keqe në 70 vitet e fundit, me qeverinë që së fundi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone për shkak të mungesës së shiut dhe temperaturave të larta.

Që nga fillimi i vitit në rajonin veriperëndimor të Piemontes, kanë rënë vetëm 94 milimetra shi kundrejt një mesatare prej 376 milimetrash. Rajoni i Lombardisë ka 61% më pak ujë këtë vit se mesatarja e periudhës 2006-2020.

Liqenet janë në më pak se gjysmën e kapaciteteve të tyre, duke përfshirë liqenin Maggiore me 34% dhe liqenin Garda me 48%. Lumi Po, rruga më e gjatë ujore e Italisë, me 652 kilometra, përballet me një gjendje të pasigurt, me kapacitetin e tij poshtë 80% krahasuar me mesataren e periudhës.

Plazhe të reja po shfaqen, si dhe mbetje arkeologjike të mijëra viteve më parë.

Më 5 korrik qeveria italiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për mungesën e ujit në pesë rajone të Italisë veriore – Piemonte, Lombardi, Emilia-Romagna, Friuli-Venezia Giulia dhe Veneto dhe ndau 36.5 milionë euro nga fondi i saj për emergjencat kombëtare për ndërhyrjet fillestare.

Në disa rezervuarë malorë, mungesa e reshjeve dhe niveli i ulët i ujit detyroi prodhimin e energjisë elektrike të ndalonte. Masa janë marrë edhe në qindra bashki në zonat e prekura nga thatësira. Furnizimi me ujë ndërpritet gjatë natës, ndërsa në të tjerat, përdorimi i ujit lejohet vetëm për higjienën personale dhe gatimin, por i ndaluar për ujitje të bimëve apo larjen e makinave.

Por është bujqësia ajo që po përballet me pasojat më të rënda. Deri më tani, humbjet e fermerëve arrijnë rreth 3 miliardë euro, sipas një vlerësimi të lobit të fermave italiane Coldiretti – organizata më e madhe e fermerëve në nivel kombëtar dhe evropian, me miliona e gjysmë bashkëpunëtorë.

Coldiretti mendon se ajo që po ndodh është një përmbysje që po prek jo vetëm të korrat, por edhe mjedisin. Nxehtësia, siç doli nga një studim i paraqitur nga kreu i Coldiretti Ettore Prandini disa ditë më parë, ka dëmtuar gjithashtu rendimentet bujqësore, me rënie mesatare prej 30% në 2022 për misrin dhe grurin, duke kërcënuar të ndikojë në prodhimin e ardhshëm.