Vendosni fjalën kyçe....

Ngecën në det me varkën me pedale duke rrezikuar jetën, shpëtohen tre adoleshentët


Tre adoleshentë kanë rrezikuar mbytjen në Durrës pasi varka me pedale që ata kishin marrë për të shëtitur kishte ngecur në det.

Pas ndërhyrjes së Policisë Kufitare, tre pushuesit 15-vjeçarë banues në Tiranë janë nxjerrë në breg.

Ngjarja vjen dy ditë pas mbytjes në det në plazhin e Durrësit të 18-vjeçarit Anri Kashiku, i cili u fut në ujë për të shpëtuar vëllanë dhe shokun e tij po nuk arriti dot të dalë në breg.

Njoftimi

“Rreth orës 17:05, është marrë njoftim se në det të hapur, në vendin e quajtur “Adriatik 1”, Durrës, kishin mbetur 3 shtetas që ishin futur në det me një pedalon, me të cilin nuk po ktheheshin dot në breg.

Menjëherë në ndihmë të tyre, janë nisur shërbimet, me mjetin lundrues të Policisë Kufitare Durrës, të cilët kanë konstatuar se larg bregut, në det të hapur, ishte një mjet lundrues pedalon, me 3 shtetas në të, që ishte bllokuar në det dhe nuk lëvizte pasi iu kishte bllokuar timoni. Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 3 pushuesit, të moshës 15 vjeç, të tre banues në Tiranë, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Policia Kufitare e Durrësit këshillon të gjithë pushuesit që t’i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave të përdorimit të tyre, për të mos rrezikuar jetën.”