Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky kritikon ashpër Kanadanë: Po i jepni oksigjen Putinit


Presidenti ukrainas Zelensky ka argumentuar se masa e Kanadasë për të kthyer një turbinë të nevojshme për një tubacion që transporton gazin rus në Gjermani do shihet si ‘dobësi’ nga Moska.

Zelensky tha se Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thirrur një të dërguar kanadez lidhur me vendimin ‘absolutisht të papranueshëm’ për të lejuar kthimin e një sendi të riparuar në Gjermani. Pajisja kërkohet për Nord Stream, tubacioni i Detit Baltik që dërgon gaz nga Rusia në Gjermani.

“Nëse një vend terrorist mund të arrijë një përjashtim të tillë nga sanksionet, çfarë përjashtimesh do të kërkojë nesër apo pasnesër? Është një çështje shumë e rrezikshme. Tani, nuk mund të ketë dyshim se Rusia do përpiqet jo vetëm të kufizojë sa më shumë që të jetë e mundur, por të mbyllë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë në momentin më të mprehtë. Kjo është ajo për të cilën duhet të përgatitemi.” – tha Zelensky.

Turbina ishte mbajtur në Kanada për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës në përgjigje të fushatës së saj ushtarake në Ukrainë.

Gjiganti shtetëror rus i gazit Gazprom tha muajin e kaluar se ishte i detyruar të zvogëlonte rrjedhën përmes Nord Stream sepse turbina nuk ishte kthyer në kohë. Kompania më pas pezulloi plotësisht rrjedhën për 10 ditë duke filluar nga e hëna, duke përmendur mirëmbajtjen e planifikuar.

Ministri gjerman i Ekonomisë Habeck argumentoi në atë kohë se vendimi i Gazprom për të zvogëluar rrjedhën përmes Nord Stream ishte i motivuar politikisht. Në të njëjtën kohë, ai i kërkoi gjithashtu Kanadasë që të lejojë që turbina të dërgohet në Gjermani.

“Sanksionet e forta nënkuptojnë se duhet të dëmtojnë dhe dëmtojnë Rusinë dhe presidentin e saj Putin më shumë sesa ekonominë tonë. Prandaj, unë kërkoj mirëkuptim se ne duhet ta heqim këtë justifikim nga Putini” – tha Habeck për Bloomberg javën e kaluar.

Të hënën, Otava dha dritën jeshile për kthimin e turbinës.

“Kanadaja do i japë Siemens Kanadasë një leje të kufizuar dhe të kthyeshme për të lejuar kthimin e turbinave të riparuara Nord Stream 1 në Gjermani.” – tha ministri i Burimeve Natyrore Jonathan Wilkinson.

Departamenti Amerikan i Shtetit e mbështeti masën, duke thënë se, ‘në një afat të shkurtër, turbina do i lejojë Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane të rimbushin rezervat e tyre të gazit, duke rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre energjetike dhe duke kundërshtuar përpjekjet e Rusisë për të përdorur eneergjinë si armë’.